VUÇIÇ KUNDËR SHBA, SULMON SHQIPERINË/ Presidenti serb: Aleanca mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë kërcënim për ne
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se rendi botëror ka rënë pas operacionit amerikan në Venezuelë që përfundoi me arrestimin e presidentit Maduro. Vuçiç paralajmëron për rrezik të shtuar në rajon dhe sulmon ashpër Shqipërinë dhe Kosovën.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas një seance urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare pas operacionit në Venezuelë kundër presidentit Nicolas Maduro.
"Pas asaj që ndodhi në Venezuelë, është plotësisht e qartë se Karta e OKB-së nuk funksionon më. Bota sot udhëhiqet nga ligji i forcës dhe nga ai që është më i fortë."
Vuçiç theksoi se ngjarjet në Venezuelë dëshmojnë rrëzimin e rendit ndërkombëtar dhe se shtetet e vogla nuk mund të mbështeten më tek askush përveç vetes.
"Ne mund të mbështetemi vetëm tek vetja jonë. Askush nuk do të luftojë për Serbinë. Forca jonë është garancia e vetme për paqen."
Në të njëjtën kohë, presidenti serb shprehu shqetësim të thellë për zhvillimet në Ballkan, duke akuzuar Shqipërinë, Kosovën dhe Kroacinë për krijimin e një aleance ushtarake që, sipas tij, përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për Serbinë.
"Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për armatimin e mëtejshëm të Prishtinës, në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244, e cila është pezulluar de facto, por jo de jure, nga fuqitë e mëdha, siç është Turqia. Ato po e armatosin me shpejtësi Prishtinën. Një kërcënim i veçantë për sigurinë e Serbisë është aleanca ose bashkimi i sapokrijuar i Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, i cili po zhvillohet në një fushë të gjerë që përfshin zhvillimin e përbashkët të sistemeve komplekse luftarake nga automjetet katër me katër deri te armët dhe mjetet më të fuqishme”
Vuçiç paralajmëroi se Serbia do të dyfishojë fuqinë e saj ushtarake në një vit e gjysmë dhe se po përgatitet për çdo skenar të mundshëm në rajon.
"Do të forcojmë ndjeshëm kapacitetet tona ushtarake. Serbia do të jetë më e fortë se çdo agresor potencial."
