KËRKOHET FORMIMI I QEVERISË/ Ngërçi politik po rëndon jetën e punëtorëve në Kosovë
Sindikatat e sektorit publik dhe privat kërkojnë formim të menjëhershëm të qeverisë së re, duke alarmuar se punëtorët janë goditur rëndë nga ngërçi politik gjatë vitit 2025. Inflacioni, mungesa e dialogut social dhe zbatimi i dobët i ligjeve kanë thelluar krizën ekonomike. Ndërkohë, procesi zgjedhor po hyn në fazën përmbyllëse me Vetëvendosjen në epërsi.
Viti 2025 ka qenë një nga më të rëndët për punëtorët në Kosovë. Mungesa e institucioneve funksionale dhe qeverisja në detyrë për gati një vit ka lënë mijëra të punësuar pa mbrojtje sociale dhe ekonomike. Sindikatat paralajmërojnë se gjendja është alarmante dhe kërkojnë veprime të menjëhershme nga qeveria e re.
Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, për Ekonomia Online.
Jusuf Azemi: “Me këtë inflacion punëtorët janë më të varfër se kurrë më parë. Premtimet për marrëveshje kolektive, gjykatë të punës e sigurime nuk janë realizuar. Sot kemi punëtorë që paguhen nën pagën minimale dhe kompani që s’kanë marrë paga me muaj.”
Sipas sindikatave, mbi 200 mijë punëtorë, kryesisht nga sektori privat, kanë emigruar gjatë katër viteve të fundit. Pagat e ulëta, pasiguria në punë dhe mungesa e politikave mbrojtëse po e zbrazin vendin nga fuqia punëtore.
Ali Gashi: “Kërkojmë rritje të koeficientit të pagave për 50 për qind, ndryshimin e ligjit të pagave dhe zbatimin e ligjit për sigurim shëndetësor. Duhet urgjentisht të konstituohet Këshilli Ekonomiko-Social dhe të nënshkruhet marrëveshja kolektive.”
Ndërkohë, ish-kryenegociatorja Edita Tahiri thotë se ndonëse pushteti i ka shkuar Vetëvendosjes, çelësi i suksesit mbetet tek opozita, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Procesi i numërimit të votave me postë po shkon drejt fundit. Sipas KQZ-së, mbi 61 për qind e votave janë numëruar, ku prin Vetëvendosje me mbi 72 për qind, e pasuar nga LDK, PDK dhe AAK.

