Trump takim me Netanyahu për të diskutuar fazën e dytë të armëpushimit në Gaza

Presidenti amerikan, Donald Trump do të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu  për herë të pestë që kur presidenti republikan u kthye në Shtëpinë e Bardhë gati një vit më parë.

Takimi do të mbahet të hënën. Kryeministri izraelit do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të dielën, ku do të takohet me aleatin e tij të ngushtë.

Axhenda e bisedimeve të tyre pritet të jetë e mbushur me tema, me bisedime mbi fazën e dytë të armëpushimit në Gaza. Ata pritet gjithashtu të diskutojnë për Sirinë, Hezbollahun dhe armëpushimin.

Qeveria amerikane dhe ndërmjetësit rajonalë, të udhëhequr nga Egjipti dhe Katari, po bëjnë thirrje për përshpejtimin e procesit për të filluar këtë fazë të re.

Faza e dytë kërkon çarmatimin e lëvizjes palestineze, tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite nga e gjithë Gaza, krijimin e një autoriteti kalimtar dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi.