Tajlanda dhe Kamboxhia bien dakord për a*mëpushim, çfarë u dakortësua tjetër mes palëve

Tajlanda dhe Kamboxhia ranë dakord për të ndalur javët e përplasjeve të ashpra kufitare, përplasjet më të rënda në vitet e fundit mes këtyre vendeve të Azisë Juglindore, që përfshinin fluturime të avionëve luftarakë, shkëmbim raketash dhe sulme artilerie.

“Palët bien dakord të mbajnë pozicionet aktuale të trupave pa lëvizje të mëtejshme,” thanë ministrat e tyre të Mbrojtjes në një deklaratë të përbashkët mbi armëpushimin.

“Çdo përforcim do të rrisë tensionet dhe do të ndikojë negativisht në përpjekjet afatgjata për zgjidhjen e situatës,” shtohet në deklaratën e publikuar në rrjetet sociale nga Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias.

Marrëveshja, e nënshkruar nga ministri tajlandez i Mbrojtjes Natthaphon Narkphanit dhe homologu i tij kamboxhian Tea Seiha, mbylli 20 ditë luftime që kanë lënë të paktën 101 të vrarë dhe mbi gjysmë milioni të zhvendosur në të dy vendet. Përplasjet rifilluan në fillim të dhjetorit pas shkatërrimit të një armëpushimi të mëparshëm, të cilin e kishte ndërmjetësuar presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri malajzian Anwar Ibrahim.

Që prej më shumë se një shekulli, Tajlanda dhe Kamboxhia kanë pasur mosmarrëveshje mbi sovranitetin në pika të ndryshme të kufirit 817-kilometrik (508 milje), një debat që herë pas here ka shpërthyer në përplasje dhe konflikte.

Armëpushimi i fundit do të monitorohet nga një ekip vëzhguesish i Bashkimit të Shteteve të Azisë Juglindore (ASEAN), si dhe përmes koordinimit të drejtpërdrejtë mes të dy vendeve, tha Natthaphon.

“Në të njëjtën kohë, në nivel politik, do të ketë komunikim të drejtpërdrejtë mes ministrit të mbrojtjes dhe kreut të forcave të armatosura të të dyja palëve,” tha ai për gazetarët.

Ndërhyrja e Trump

Tensionet mes dy vendeve kulmuan në korrik të këtij viti, kur fqinjët përleshën për pesë ditë në disa pjesë të kufirit, duke lënë të paktën 48 të vrarë dhe 300,000 të zhvendosur, para se Trump të ndërhynte për të arritur një armëpushim.

Ky armëpushim u shkatërrua në fillim të dhjetorit, me të dyja palët që akuzuan njëra-tjetrën për veprime që shkaktuan përplasje.

Që nga rifillimi i konfliktit, as Anwar, aktualisht kryetar i ASEAN, as Trump nuk arritën të rikthejnë një armëpushim tjetër, ndërsa luftime përhapeshin nga zonat pyjore pranë Laosit deri në provincat bregdetare në Gjirin e Tajlandës.

Negociatat e rinovuar u zhvilluan pas një takimi special të ministrave të Jashtëm të vendeve të Azisë Juglindore të hënën në Kuala Lumpur, i ndjekur nga tre ditë bisedimesh mes palëve në një pikë kufitare, ku dy ministrat e mbrojtjes u takuan të shtunën.

Në deklaratën e përbashkët, ministrat ranë dakord për kthimin e personave të zhvendosur nga zonat kufitare të prekura, duke theksuar gjithashtu se asnjëra palë nuk do të përdorë forcë ndaj civilëve.

Tajlanda gjithashtu do të kthejë 18 ushtarë kamboxhianë që janë në kujdesin e saj që nga përplasjet e korrikut, nëse armëpushimi mbahet plotësisht për 72 orë, sipas marrëveshjes.