120 MILIARDË EURO DËME NË 2025-n/ Bilanci i fatkeqësive natyrore, të shkaktuara edhe nga dora e njeriut

Dëmet ekonomike nga fatkeqësitë natyrore në vitin 2025 arritën rreth 120 miliardë euro, me zjarret në Kaliforni që renditen si katastrofa më e kushtueshme. Ekspertët theksojnë se këto ngjarje janë pasojë e krizës klimatike të shkaktuar nga njeriu.

120 miliardë euro dëme është bilanci i fatkeqësive natyrore për vitin 2025.

Sipas raportit vjetor të organizatës “Christian Aid” këto dukuri në realitet janë pasojë e krizës klimatike të shkaktuar nga njeriu, për shkak të rritjes së temperaturave globale dhe përdorimit të vazhdueshëm të lëndëve djegëse fosile.

Në Azinë Juglindore, ciklonet dhe përmbytjet e vjeshtës shkaktuan më shumë se 1,750 viktima dhe mbi 25 miliardë euro dëme, ndërsa zjarret në Kaliforni morën jetën e më shumë se 400 personave, duke shkaktuar rreth 60 miliardë euro dëme, duke u bërë katastrofa më e kushtueshme e vitit.

Përmbytjet shkatërruese në Kinë renditen të tretat për nga kostoja, me rreth 12 miliardë euro dëme dhe të paktën 30 viktima, ndërsa miliona njerëz u zhvendosën nga banesat e tyre.

Raporti përfshin gjithashtu tajfunët në Filipine, ku mbi 1.4 milionë persona u zhvendosën, si dhe përmbytjet vdekjeprurëse në Afrikë dhe Azinë Jugore. Edhe vendet e zhvilluara u prekën nga zjarre rekord, thatësira dhe valë të nxehti ekstreme.

Ekspertët paralajmërojnë se frekuenca dhe intensiteti i këtyre ngjarjeve po rritet, ndërsa vendet në zhvillim po pësojnë pasojat më të rënda njerëzore.

“Christian Aid” paralajmëron se faturat ekonomike dhe njerëzore do të vazhdojnë të rriten, nëse bota nuk ndërmerr masa urgjente për të ulur emetimet e gazrave serrë.