Të huajt zgjedhin Shqipërinë, po shqiptarët?/ Eksperti i turizmit: Po i largohemi vendit për fundvit, zgjedhim shtetet e tjera në Europë
Në studion e OraNews ka qenë i ftuar eksperti i turizmit, Frenkli Prengaj i cili ka folur për trendin e ri të turizmit te shqiptarët sidomos gjatë periudhës së festave të fundvitit.
Çfarë Prengaj ka treguar është që ndryshe nga vitet e shkuara, ku shqiptarët emigrant ktheheshin në atdhe për të kaluar festat, tashmë po ndodh e kundërta.
Bëhet fjalë për familjet shqiptare që shkojnë drejt të afërmëve të tyre që ndodhen jashtë vendit dhe zgjedhin t’i kalojnë pushimet atje.
Ndërkaq, eksperti ka nënvizuar se kemi një shkëmbim turzimi midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Europës, ku shqiptarët duke qënë se udhëtojnë drejt vendeve të huaja, nga ana tjetër të huajt janë duke frekuentuar Shqipërinë si pjesë e pushimeve të tyre për Vitin e Ri.
“Ideja është që tashmë jemi në pjesën ku shqiptarët duan të kalojnë Vitin e Ri jashtë Shqipërisë ndërkohë të huajt vijnë dhe shikojnë Shqipërinë si një destinacion ose Tiranën që nuk e kanë parë me përpara.
Pra, kemi ndërrimin e turistëve, si në Shqipëri dhe vendet e tjera të Europës.
Nuk kemi të dhëna të sakta ose të detajuara se ku po shkojnë shqiptarët por një nga faktorët kryesor që mendoj që ka ndryshuar tashmë është fakti që shumë familje shqiptare kanë të afërmit e tyre emigrant në vendet jashtë.
Ne kemi parë për shumë vite me rradhë që shqiptarët që janë emigrant janë kthyer në Shqipëri për të kaluar festat e fundvitit.
Tashëm po shohim një trend ku, pjesa e familjes që qëndron në Shqipëri shkojnë të fëmijët ose te të afërmit emigrant në vendet respektive për të kaluar atje disa pushime.
Është ideja e pushimeve të zgjatura, e nje fundjave të zgjatur për sa i përket pjesës së Vitit të Ri, ku ashtu si dhe të huajt që kanë 5-7 ditë pushime, edhe ne shqiptarët po i shfrytëzojmë për të shkuar në vende të ndryshme.”- tha ai.
