Shkrumbohen autobusët e vjetër në Fllakë, publikohen PAMJET nga vendngjarja
Autobusë të vjetër, të parkuar dhe jashtë përdorimit, janë përfshirë nga flakët ditën e sotme në afërsi të zonës së Fllakës, në Durrës.
Si pasojë e zjarrit, mjetet janë shkrumbuar pothuajse plotësisht, duke pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas informacioneve paraprake, autobusët nuk ishin funksionalë dhe nuk përdoreshin prej kohësh. Fatmirësisht, nga zjarri nuk raportohet për persona të lënduar dhe as për rrezik ndaj banesave përreth apo objekteve të tjera.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet përkatëse, të cilat kanë kryer monitorimin e situatës dhe kanë vënë flakët nën kontroll.
Ende nuk dihen rrethanat apo shkaqet që çuan në përfshirjen e autobusëve nga zjarri, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, janë publikuar pamjet nga vendngjarja, ku duken qartë autobusët e djegur dhe të shkrumbuar, duke dëshmuar përmasat e zjarrit dhe dëmet e shkaktuara.
