Arrestime, shpallje në kërkim dhe procedime penale në Qarkun Shkodër
Policia në Qarkun Shkodër ka zhvilluar disa veprime operacionale gjatë 24 orëve të fundit, duke finalizuar arrestime, shpallje në kërkim dhe procedime penale për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Policisë Kufitare ndaluan shtetasin G. B., 33 vjeç, banues në Laç, Kurbin, i cili ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Ndaj tij u referuan gjithashtu materialet në Prokurorinë e Shkodrës edhe për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”.
Ndërkohë, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër shpallën në kërkim shtetasin K. N., 20 vjeç, banues në fshatin Dajç, Lezhë, i dyshuar për vjedhjen e një motomjeti në fshatin Bardhaj.
Po nga strukturat e Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal ndaj shtetasit A. M., 37 vjeç, banues në Laç, Vau i Dejës, pas kallëzimit të një shtetaseje 32-vjeçare nga Shkodra, e cila pretendon se ai e përndjek në rrjete sociale dhe hap llogari false në emrin e saj, duke publikuar përmbajtje fyese.
Gjithashtu, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë nisën procedim penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit P. L., 63 vjeç, për kryerje të punimeve ndërtimore pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
