RAMA VLERËSON EKSELENTËT/ Kryeministri nderon me medalje 190 nxënës të shkollave të mesme
190 nxënës të shkollave të mesme të të gjithë vendit u nderuan me medalje të artë nga kryeministri Edi Rama, për përfundimin me rezultate të shkëlqyera të arsimit të mesëm të lartë. Kryeministri teksa vlerësoi ekselencën, theksoi edhe vështirësitë ekonomike me të cilat përballen familjet e shumë prej tyre.
Kryeministri Edi Rama ndau 190 medalje e çertifikata ekselence për nxënës të arsimit të mesëm të lartë nga i gjithë vendi. Kryeministri theksoi se numri i medaljeve është më i larti në të gjitha vitet.
“Na kënaq më shumë është që ky numër i rritur medaljesh të arta përkon edhe me numrin e rritur të studentëve shqiptarë që arrijnë të hyjnë në universitetet më prestigjioze të botës, por nga ana tjetër përkon edhe me çfarë kemi marrë së fundmi nga testimet që janë bërë.”
Rama përmendi edhe vështirësitë që ata kalojnë.
“ Mundohem të marr me mend se sa shumë prej jush jetoni në familje krejt të zakonshme ose patjetër disa prej jush jetojnë në familje që kanë vështirësi reale për të arritur fundin e muajit. Dhe thënë kjo, i keni të gjitha justifikimet për të mos dalë me medalje ari. Por dallimi i madh që bëni ju, është pikërisht ky; që nuk shkoni në kërkim të justifikimeve, po shkoni në kërkim të suksesit. “
Për këtë, kreu i qeverisë ndau historinë e një prej medalistëve dhe vëllait të tij binjak.
“ Më thanë që këtu ka një djalë që vjen nga Pogradeci dhe është vëllai binjak i një djali tjetër që nuk e merr medaljen e artë njësoj si ky i pari, sepse ka marrë vetëm një 9... Nuk dua t'i them djalit që do marrë medaljen asgjë, po duhet t'i them atij që nuk do ta marrë medaljen, që ajo 9-ta nuk e bën aspak që të ndihet i dyti pas të vëllait. “
Në ndarjen e medaljeve dhe çertifikatave mori pjesë edhe ministrja e Arsimit, e cila përgëzoi 190 nxënësit dhe i nxiti për të vijuar më tej në rrugën e dijes.
