S’KA “PAQE” ME NDËRTUESIT! Rama sqaron “Paqen Fiskale” me sipërmarrjen: Korrigjohuni! Çdo gjë që ju hiqni punonjësve do ta keni në llogarinë e ferrit

Kryeministri Edi Rama në një takim me sipërmarrjen sqaroi se “Paqja Fiskale” që do të zbatohet nga janari  nuk është amnisti, por një mundësi korrigjimi për bizneset që nuk janë në konflikt me ligjin. Ndaj ndërtuesve, Rama ishte i prerë duke theksuar se nuk do të ketë lehtësira dhe kërkoi deklarim real të pagave të punonjësve.

“Nuk është shpikje e jona, ka lindur në Romën e Vjetër dhe është instrument i përdorur prej mijëra vjetësh” - Kështu i përgjigjet kryeministri Edi Rama kundërshtarëve politikë e jo vetëm për Paqen Fiskale, një nismë pjesë e Paketës Fiskale të vitit 2026, e cila do të nisë të zbatohet nga Janari.

“U jep mundësi të korrigjohen duke ribërë deklarimet e viteve të shkuara e duke pasur si motivim një tatim shumë më të ulët mbi fitimin se ai që paguhet rregullisht. Për çdo pasqyrë të korrigjuar, fitimi tatohet vetëm 5 për qind”, theksoi kryeministri.

Një përgjigje e pati edhe për akuzat se kjo lëvizje ishte një formë amnistie.

“Dallimi mes Paqes Fiskale dhe Amnistisë Fiskale është shumë i thjeshtë e i qartë. Këtu bëhet paqe me të gjithë ata që nuk janë në konflikt aktualisht me ligjin. Nuk janë në procese penale të hapura, nuk janë në procese gjyqësore të hapur të cilat afektojnë legjitimitetin e të ardhurave. Për gjithë pjesën tjetër është siç tashmë shkruhet në ligj”, tha ai.

Ndërkohë kryeministri ishte i ashpër kur vjen puna tek ndërtuesit, të cilët kërkuan lehtësira në pagesën e taksës së infrastrukturës.

“Mos na hap këtë muhabet. Paqe me ndërtuesit nuk ka. Më keni mbrapa këmba këmbës mua dhe gjithë ca janë që varen prej meje….Mbështetje ju që akoma deklaroni punonjës me 500 mijë lekë kur e dimë shumë mirë dhe ti dhe unë që nuk ekziston punonjës me pagë minimale në ndërtim. Po nuk keni faj ju, po na ka lidhur duart Gjykata Kushtetuese para disa vitesh që nuk mund t’iu vendosim juve tavan dhe ju lozni”, deklaroi Rama. 

Bashkë me urimin për vitin e Paqes Fiskale, kryeministri kishte edhe një mesazh për biznesin.

Të gjithë janë të rëndësishëm, por më të rëndësishëm janë ata që punojnë për ju. Çdo gjë që ju hiqni prej tyre e keni në llogarinë e ferrit ku do të përfundoni”.