Blushi: AKSHI konfirmoi pengmarrjen e shtetit nga mafia

Ben Blushi akuzon qeverinë e Edi Ramës për marrje peng të shtetit nga mafia, duke denoncuar korrupsionin sistemik dhe kriminalizimin e institucioneve.

Ai falënderon qytetarët për protestën kombëtare dhe thërret për vazhdimin e qëndresës deri në largimin e qeverisë.

Fjalimi Ben Blushit:

Falenderim të përzemërt dhe mirënjohje të pakufijshme për mijëra qytetarë të lirë dhe plot dinjitet, nga Tirana dhe mbarë vendi, të cilët dje, me guxim dhe ndjenjë të lartë patriotike u ngritën në këmbë dhe iu bashkuan protestës kombëtare, që riktheu shpresën dhe besimin për shpëtimin e Shqipërisë, demokracisë dhe familjes shqiptare.

Populli është në këmbë sepse afera e AKSHI-t hoqi çdo maskë dhe konfirmoi të vërtetën tronditëse të marrjes peng dhe rrëmbimit të shtetit nga mafia.

Çdo zyrë publike, çdo zyrë kadastre, çdo komisariat policie, çdo procedurë tenderimi dhe çdo hallkë e administratës funksionon nën urdhrat e bodrumeve të krimit.

Nuk bëhet më fjalë për korrupsion sporadik, por për një sistem të kriminalizuar, ku mafia dikton vendimet, grabit pasuritë publike dhe përdor institucionet e shtetit si vegla në shërbim të saj.

Ky rrjet kriminal ka vënë dorë mbi Thesarin e Shtetit, ka depërtuar në sistemet më të ndjeshme si TIMS-i dhe ka cenuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare.

Shteti nuk qeveriset më nga ligji, por nga krimi i organizuar, i cili vepron i paprekshëm, i mbrojtur dhe i integruar në vetë strukturat e pushtetit.

Ndaj edhe qëndresa e vendosur dhe e pandalshme përballë Narkoregjimit, deri në çlirimin e plotë të institucioneve dhe rikthimin e sovranitetit te qytetarët, është një mision historik për çdo shqiptar të lirë, të ndershëm dhe patriot.

Askush që e do këtë vend nuk mund të pajtohet kurrë me grabitjen barabare të taksave dhe pasurive publike, as me shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore nga ky regjim mafioz që nuk përfaqëson vullnetin e popullit, por vetëm interesat kriminale.

Përballja pa kthim dhe me çdo çmim me Narkoshtetin, me përshkallëzim shumëplanësh të aksionit opozitar, është një betejë që nuk do të ndalet deri në fitoren e padiskutuar.

Duke dënuar me forcën më të madhe ndalimin e disa qytetarëve, i bëjmë thirrje Narkopolicisë së Edi Ramës, të përfshirë direkt në trafikun qeveritar të drogës, bashkëpunimit të ngushtë me krimin dhe rrëmbimit mafioz të qytetarëve të pafajshëm dhe biznesmenëve, siç faktoi rasti i Gerond Meçes, të lirojnë menjëherë protestuesit paqësorë dhe të ndalojë terrorin ndaj familjarëve të tyre.

Çdo akt terrori, dhune dhe frikësimi i Edi Ramës që dëshmon panikun e thellë për fundin e merituar dhe të pashmangshëm që e pret, nuk ka fuqinë të ndalë uraganin e lirisë.

Akti i sotëm i përjashtimit të deputetëve të opozitës, nga Komisioni i Etikës së Krimit dhe Vjedhjes në Kuvend, është një tjetër atentat ndaj pluralizmit politik, që vetëm sa e motivon më shumë qëndresën dhe vijimin e betejës sonë të drejtë dhe të pakompromis për shporrjen e kësaj bande mafioze që ka marrë peng shtetin.

Është e destinuar të dështojë çdo tentativë kriminale për të bllokuar drejtësinë, e ndërmarrë nga njeriu që e kapi për fyti drejtësinë dhe që sot dridhet edhe nga drejtësia që vetë krijoi, e aq më tepër nesër imagjinoni nga një drejtësi realisht e pavarur.

Asgjë nuk do ta ndalë llogaridhënien dhe ndëshkimin e merituar të Edi Ramës, të Belinda Ballukut, Ergys Agasit dhe gjithë bandës së hajdutëve që kanë ndërtuar pushtetin mbi grabitjen, krimin dhe drogën.

Edi Rama, arkitekti i drejtësisë me regji, që ende nuk është thirrur për të dhënë llogari për firmën kriminale që i fali bonusin 8% kompanisë së inceneratorëve kur ajo as nuk ekzistonte, dhe që ka shitur si limona të shtrudhur bashkëpunëtorët e tij, për të shpëtuar veten, nuk do t’i shpëtojë kurrë ndëshkimit.

As 83 kukullat, kriminelët dhe hajdutët që ka futur në Parlament nuk do ta mbrojnë nga fundi që e pret dhe që do jetë jo thjesht fitorja e opozitës, por në radhë të parë e çdo shqiptari të lirë, të ndershëm dhe patriot që e do Atdheun e vet.

Faleminderit!