"Presion i shtuar" - Ndryshimet në Kodin Penal, biznesi në alarm: Kriminalizimi i tepruar i veprimeve dhe akteve administrative!
Confindustria Albania – Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri, që përfaqëson rreth 170 biznese italiane e të përbashkëta, ka shprehur qëndrimin e saj të ashpër zyrtar kundër projektligjit të ri të Kodit Penal, i hedhur së fundmi për konsultim publik nga Ministria e Drejtësisë, duke paralajmëruar se nëse miratohet në ketë formë do të rrezikojë paralizimin e investimeve të huaja.
Confindustria Albania ndryshimet në Kodin Penal i cilëson të panevojshëm, të cilat rrisin ndjeshëm riskun ligjor për bizneset dhe cenojnë klimën e investimeve në vend.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me kriminalizimin e tepruar të veprimeve me natyrë administrative, si shkeljet tatimore formale, mangësitë në dokumentacion apo shkelje të brendshme në shoqëritë tregtare, të cilat deri më tani janë trajtuar përmes masave administrative ose civile. Sipas Confindustria Albania, kjo qasje rrit presionin penal mbi biznesin dhe krijon pasiguri në ushtrimin e aktivitetit ekonomik.
Një tjetër problem që ngrihet është edhe mungesa e harmonizimit të draftit me legjislacionin ekzistues dhe praktikën gjyqësore, si dhe mbivendosja me ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”, veçanërisht përmes tentativës për të kriminalizuar pozitën dominuese në treg. Sipas Confindustria Albania, kjo mund të paralizojë investimet, të rrisë arbitraritetin në zbatim dhe të dëmtojë konkurrencën e lirë.
Në përfundim, Confindustria Albania vlerëson se projektiligji i ri i Kodit Penal, në formën aktuale, rrit ndjeshëm riskun ligjor për bizneset dhe përbën pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit. Rekomandohet që drafti të mos përparojë dhe që fokusi të jetë përmirësimi i Kodit Penal ekzistues përmes një procesi të thelluar, gjithëpërfshirës dhe të mirëkonsultuar institucionalisht.
Drafti paraprak më herët është kundërshtuar edhe nga Profesionistët e Aleancës të Profesionistëve të Lirë (APL). Nëpërmjet një letre dërguar ish ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja APL kërkoi rishikim të kujdesshëm të dispozitave problematike, duke theksuar nevojën për respektim të parimit të proporcionalitetit dhe mbrojtje të lirive ekonomike dhe lirisë së fjalës.
Duke ngritur shqetësimin për zgjerimin e panevojshëm të ndërhyrjes penale në fusha që tradicionalisht janë trajtuar nga e drejta civile apo administrative, APL solli në vëmendje disa nene që sipas tyre mund të sjellin pasoja negative në marrëdhëniet mes bizneseve.
Kodi Penal është miratuar në janar 1995, pothuajse 28 vite më parë. Në kohën e miratimit ky kod kishte 362 nene, ndërsa Kodi i Ri i propozuar ka mbi 600 nene. Sipas Ministrisë së Drejtësisë vit pas viti, Kodi i është nënshtruar mbi 30 herë amendimeve dhe shtesave të vazhdueshme, për t’iu përgjigjur nevojës së tranzicionit shoqëror dhe ekonomik që ka kaluar Shqipëria.
Ministria e Drejtësisë thekson se si pasojë e këtyre ndërhyrjeve në Kod është konstatuar ndjeshëm një mungesë e harmonizimit të përmbajtjes së Kodit Penal, veçanërisht përsa i përket llojeve dhe masave të dënimeve penale për çdo vepër penale bazuar në rrezikshmërinë e saj
NJOFTIMI
Qëndrim Zyrtar i Confindustria Albania për projektin e ri të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë
1.Vlerësim i përgjithshëm dhe mungesa e nevojës për një Kod të ri
Confindustria Albania shpreh shqetësimin në lidhje me projektin e Kodit Penal të hedhur kohët e fundit për konsultim publik. Kodi Penal, siç dihet, është një akt me rëndësi themelore për sistemin juridik, ekonomik dhe politik të vendit. Në lidhje me këtë projekt, kemi zhvilluar diskutime të gjera me juristë dhe avokatë, përfaqësues të shoqërive anëtare që Confindustria Albania përfaqëson. Nisur nga këto diskutime, na rezulton se ky draft nuk vjen si pasojë e ndonjë nevoje apo kërkese reale të sistemit penal apo i problemeve në zbatimin e Kodit Penal aktual. Përkundrazi, mendimi i përgjithshëm është se sistemi penal me Kodin Penal ekzistues, si një shtyllë e këtij sistemi, ka funksionuar në mënyrë të qëndrueshme dhe ka manifestuar rezultate pozitive, duke përfshirë këtu edhe trajtimin e çështjeve që lidhen me personat juridikë. Argumenti i përsëritur nga autorët e projektit të ri të Kodit Penal se “ndryshimet e shpeshta në Kodin aktual kërkojnë hartimin e një Kodi të ri” nuk është i bazuar dhe i qëndrueshëm. Ndryshimet ligjore janë reflektim i ndryshimeve në jetën sociale, politike dhe ekonomike të vendit. Projekti i Kodit të ri Penal sjell një varg ndryshimesh të rëndësishme thelbësore dhe strukturore. Nuk mendojmë se është kjo që kërkohet në këtë moment. Në këtë moment kërkohet forcimi dhe konsolidimi i zbatimit të Kodit ekzistues.
Ndryshimet rrënjësore apo të shumta në këtë moment nuk do të kontribuonin në forcimin e sistemit penal. Përkundrazi, kjo lloj qasjeje cenon sigurinë juridike, parashikueshmërinë ligjore dhe besimin e subjekteve ekonomike në sistemin e drejtësisë. Nga diskutimet rezultoi e qartë se mungojnë arsyet, faktorët apo motivet që të nxisin apo të shtyjnë për bërjen e një kodi të ri penal. Gjithashtu, nuk rezultoi dhe as konstatohet se ekziston ndonjë boshllëk në legjislacion penal, që të justifikojë nevojën për të shkuar drejt hartimit dhe miratimit të një kodi të ri penal. Mbi të gjitha vërehet se nga hartuesit e projektit të Kodit të ri Penal nuk është bërë një analizë shteruese e ndikimit të faktorëve ekonomikë dhe socialë në lidhje me rëndimin me penalizime të reja, siç propozohet, për veprat penale të kryera nga personat juridikë.
Kriminalizimi i tepruar i veprimeve dhe akteve administrative
Një shqetësim thelbësor i Confindustria Albania lidhet me tendencën për të kriminalizuar veprime dhe akte që kanë natyrë të theksuar administrative dhe që deri më tani janë trajtuar me mjete administrative ose civile. Shembuj të tillë janë:
Shkeljet në fushën e tatimeve dhe mbajtjes së dokumentacionit tatimor;
Kërkesat e parregullta apo mosmbajtja e regjistrave;
Shkelje të kryera në shoqëritë tregtare;
Shkelje të karakterit formal që nuk përbëjnë rrezik penal, por vetëm mangësi administrative.
Kjo qasje rënduese penale përbën një rrezik për klimën e biznesit, pasi vendos presion penal mbi aktivitetin tregtar dhe sjell pasiguri në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike. Në këtë kuadër, theksojmë se projektkodi nuk ruan një raport të drejtë ndërmjet përgjegjësisë administrative dhe asaj penale. Përveç ruajtjes së një raporti të drejtë dhe proporcional ndërmjet këtyre përgjegjësive, jemi të mendimit se në zbatimin e përgjegjësisë penale ndaj personave juridikë duhet të evitohet ndëshkimi i biznesit në vetvete ose i punonjësve që lidhen me të. Në radhë të parë, fokusi duhet të jetë krijimi i një klime të shëndetshme bashkëpunimi dhe ndërveprimi ndërmjet organeve publike, si: tatimet, doganat, konkurrenca, etj, nga njëra anë, dhe biznesit nga ana tjetër.
Presion i shtuar penal ndaj personave juridikë
Në projektin e Kodit të ri Penal është vërejtur shtim i konsiderueshëm i veprave penale për të cilat mund të përgjigjet personi juridik (ose më saktë përfaqësuesit ligjorë të tij). Ky zhvillim:
është përtej logjikës juridike të dallimit ndërmjet personit fizik dhe juridik;
ngarkon padrejtësisht shoqëritë tregtare me përgjegjësi që nuk u takojnë;
krijon mundësi për interpretime arbitrare gjatë zbatimit nga organet kompetente.
Në disa dispozita, projekti parashikon që personi juridik mund të dënohet për vepra penale absurde, si p.sh. vrasja, plagjiatura apo keqtrajtimi i kafshëve, çka është në kundërshtim me parimet themelore të përgjegjësisë penale dhe të funksionimit të shoqërive tregtare. Gjithashtu, konstatojmë se shumë vepra penale parashikojnë si rrethanë cilësuese apo rënduese rastin kur vepra penale kryhet nga personi juridik.


