Studentët sfidojnë pushtetin në Serbi

Mijëra studentë dhe aktivistë nga mbarë Serbia u mblodhën në Novi Pazar për të protestuar kundër, siç thonë ata, presionit politik mbi universitetet shtetërore. Protesta shënon një moment të ri në lëvizjen studentore që është përhapur pas tragjedisë së Novi Sadit.

Mijëra aktivistë nga pjesë të ndryshme të Serbisë iu bashkuan të dielën protestës së studentëve në Novi Pazar, në jugperëndim të vendit, duke denoncuar atë që e përshkruajnë si ndërhyrje të drejtpërdrejtë të pushtetit në arsimin e lartë.

Demonstrata, e para e këtij lloji në këtë qytet me shumicë boshnjake myslimane, u zhvillua si pjesë e një lëvizjeje më të gjerë kundër ndikimit politik në universitetet shtetërore. Protestat u intensifikuan pas shembjes së çatisë së një stacioni hekurudhor vitin e kaluar në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona, ngjarje që u kthye në simbol të pakënaqësisë publike.

Studentët e Novi Pazarit u bënë të njohur në mbarë vendin pasi ecën për ditë të tëra për t’iu bashkuar protestave përvjetore në Novi Sad më 1 nëntor.

Tani ata thonë se administrata universitare ka hequr statusin e rregullt për studentët që munguan për shkak të protestave dhe ka shkarkuar dhjetëra pedagogë.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e bordit drejtues të universitetit dhe zgjedhjen e një rektori të ri, duke e cilësuar situatën si kërcënim për mbijetesën e institucionit. Gjatë protestës njëditore u mbajt një minutë heshtje për viktimat e tragjedisë, ndërsa pjesëmarrësit valëvitën flamuj të qyteteve dhe universiteteve të tyre dhe brohoritën sloganin e tyre të njohur “Pump up!”.

Lëvizja, e udhëhequr nga studentë, akademikë dhe figura opozitare, akuzon presidentin Aleksandar Vuçiq dhe partinë e tij nacionaliste për korrupsion, shërbime publike të dobëta, nepotizëm dhe kufizim të lirisë së medias, akuza që ai i mohon.

Novi Pazar, qyteti më i ri demografikisht në Serbi, mbetet një vatër protestash pa incidente etnike, pavarësisht përbërjes së tij të veçantë.