Rrëmbimi i Milan Vukashinoviç, arrestohet ish-pjesëtari i Ministrisë së Brendshme të Serbisë

Një ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) është arrestuar pasi dyshohet se ka marrë pjesë në rrëmbimin e shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviç, bën të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Rrëmbimi i Millan Vukashinoviçit, brenda territorit të Kosovës ndodhi më 1 nëntor 2025 

Autori i dyshuar, ish-pjesëtari i MUP-it të Serbisë, i cili ishte integruar në Policinë e Kosovë sipas marrëveshjes së vitit 2013, prej nga kishte dhënë dorëheqje, është arrestuar në Leshak.

“Ekzistojnë dyshime të bazuara se personi i arrestuar ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe kidnapimin e Milan Vukashinoviç, i cili gjatë kidnapimit u plagos rëndë dhe aktualisht është duke u trajtuar në një spital në Serbi’ shkruan ministri në një postim në facebook.
 
Ndër të tjera mësohet se V.M. dyshohet se ka qenë në kontakt me strukturat e inteligjencës së Serbisë dhe ato të ushtrisë, ka përgatitur të rinj serbë për trajnime në bashkëpunim me pjesëtarë të ushtrisë së Serbisë, si dhe së paku ka qenë në dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë.

“Në Kosovë askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë. Institucionet tona profesionale kanë kapacitetet për të adresuar secilin kërcënim dhe për të zbardhur çdo krim. Herët a vonë, para drejtësisë do të dalin edhe personat përgjegjës për këtë rast dhe rastet e tjera, të cilët janë pjesë e institucioneve të sigurisë së Serbisë, përkatësisht strehohen atje dhe shfrytëzohen nga pushteti për qëllime politike dhe të sigurisë”, ka shtuar ai.

Millan Vukashinoviç u rrëmbye në territorin e Leposaviçit - një prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, - ndërsa punonte në Byronë Kosovare të Sigurimit në vendkalimin kufitar Jarinje, në veri të Kosovës. 

Prishtina akuzoi Beogradin për rrëmbimin e tij, ndërsa nga Serbia nuk pati reagime.

Kush është Millan Vukashinoviç?

Millan Vukashinoviç ka punuar në Byronë Kosovare të Sigurimit që nga viti 2011. Gjithashtu ai kishte punuar në një kompani sigurimesh në një nga pikat kufitare të Kosovës me Serbinë.

Pacolli shton se Vukashinoviç ka pasur probleme edhe më parë, se ka vuajtur presion, por se nuk e ka lënë kurrë punën.

Radio Evropa e Lirë, përmes mjeteve forenzike për njohjen e fytyrës, konstatoi se Vukashinoviç ishte i njëjti person që më 28 qershor të këtij viti kishte folur publikisht për presionet që po përjetonte, në një bisedë me gazetarin dhe ish-deputetin e Kuvendit të Serbisë, Nemanja Sharoviç, për televizionin KTV nga Serbia.

Millan Vukashinoviç tha në atë kohë se serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, pas presionit të Listës Serbe. Ai pretendoi se, personalisht, ka vuajtur presion dhe se nuk ndihej i sigurt të shkonte në Serbi, sepse nuk donte të jepte dorëheqje.

Kur u pyet për sulmin nga një grup i armatosur serbësh në Banjskë - pjesa veriore e Kosovës - në shtator të vitit 2023, Vukashinoviç tha se “djemtë u shfrytëzuan”.

Në fund të qershorit, një deklaratë e Vukashinoviçit nga Gazimestani u botua në kanalin e Telegramit “Koridor”, me përshkrimin se bëhet fjalë për “një spiun shqiptar, të cilit iu ofrua punë në një nga institucionet serbe, por ai donte të qëndronte dhe të punonte për institucionet shqiptare, sepse, përveç pagës, merr edhe bonus për spiunazh”.

Kanali “Koridor”,është përdorur më herët nga “Brigada e Veriut”, e cila bashkë me “Mbrojtjen Civile” janë shpallur organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës, në qershor të vitit 2023.  

Postimi i ministrit 

Në kuadër të hetimeve intensive që po kryhen lidhur me kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq, në brendësi të territorit të Kosovës më 1 nëntor 2025 nga strukturat e sigurisë së Serbisë, sot, në një operacion të përbashkët ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, është arrestuar në Leshak ish-pjesëtari i MUP-it të Serbisë, i cili ishte integruar në PK sipas marrëveshjes së vitit 2013, prej nga kishte dhënë dorëheqje, V.M.

Ekzistojnë dyshime të bazuara se personi i arrestuar ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe kidnapimin e Milan Vukashinoviq, i cili gjatë kidnapimit u plagos rëndë dhe aktualisht është duke u trajtuar në një spital në Serbi.

V.M. dyshohet se ka qenë në kontakt me strukturat e inteligjencës së Serbisë dhe ato të ushtrisë, ka përgatitur të rinj serbë për trajnime në bashkëpunim me pjesëtarë të ushtrisë së Serbisë, si dhe së paku ka qenë në dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë.

Në Kosovë askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë. Institucionet tona profesionale kanë kapacitetet për të adresuar secilin kërcënim dhe për të zbardhur çdo krim.

Herët a vonë, para drejtësisë do të dalin edhe personat përgjegjës për këtë rast dhe rastet e tjera, të cilët janë pjesë e institucioneve të sigurisë së Serbisë, përkatësisht strehohen atje dhe shfrytëzohen nga pushteti për qëllime politike dhe të sigurisë.