Tabaku: Qeveria e akuzuar për korrupsion nuk mund të garantojë sigurinë kombëtare nga investimet e huaja
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj projektligjit të qeverisë për kontrollin e investimeve të huaja, duke e cilësuar atë të vonuar dhe të mangët. Ajo tha se prej më shumë se një viti ka depozituar në Kuvend një ligj të plotë për screening-un e FDI-ve, i mbështetur nga SHBA dhe BE, por që u rrëzua nga maxhoranca.
Sipas Tabakut, ligji i qeverisë ia lë analizën e sigurisë vetë ekzekutivit, çka është problematike në kushtet e akuzave për korrupsion, veçanërisht ndaj AKSHI-t. Ajo kritikoi gjithashtu faktin se projektligji fokusohet vetëm te media, duke lënë jashtë sektorë jetikë si infrastruktura, energjia, teknologjia e informacionit dhe projektet Smart City.
“Ky nuk është thjesht një ligj për integrimin europian,” u shpreh Tabaku. “Është një çështje normash, standardesh dhe vlerash. Dhe shqiptarët nuk kanë arsye të besojnë se këto mund të garantohen nga një qeveri që po zhytet çdo ditë e më shumë në afera korrupsioni.”
Në përfundim, Tabaku theksoi se Shqipëria ka nevojë për një ligj serioz dhe gjithëpërfshirës që garanton sigurinë kombëtare dhe standardet europiane.
