"Padrejtësi në zemër të Europës"/ Rama flet për takimin me Hashim Thaçin në Hagë: Ai u rrëmbye pa gjyq dhe pa akuzë
Kryeministri Rama pak më parë ishte nisur drejt Hagës ku ka takuar dhe Hashim Thaçin, i cili po gjykohet nga Gjykata e Hagës si komandat i Luftës Çlirimtare në Kosovë.
Për këtë Rama ka folur në podcast "FLASIM" në episodin e 11.
Kryeministri është shprehur se Thaçi është rrëmbyer pa gjyq, nga zyra e Presidentit të Republikës.
Ai ka përmendur se po u bëhet padrejtësi ish komandatëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Sipas Ramës mbi ta po peshon një padrejtësi 5-vjeçare e cila po ndodh në zemër të Europës.
Fjala e plotë e Kryeministrit:
Udhëtimi drejt Hagës dhe takimi me Hashimin, komandantin e Luftës Çlirimtare, udhëheqësin e Kosovës së lirë dhe vëllaun tim matanë bjeshkëve, ishte një moment shënjues i javës që shkoi.
Ai u rrëmbye, u rrëmbye pa gjyq, u rrëmbye pa akuzë, nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, me vullnetin e vet të lirë. U rrëmbye për një farsë të nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Asamblenë e Përgjithshme Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg dhe të vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh qesharakë të akuzës ndërkombëtare në Hagë.
E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt si i tij.
Nuk di, realisht nuk kam fjalë për të thënë më shumë për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e shteteve të Europës e SHBA-së dhe me me fondet e taksapaguesve europianë e amerikanë, bazuar në besimin e atyre që e votuan këtë gjykatë duke ia lënë në dorë drejtësisë ndërkombëtare të bëjë drejtësi dhe sot gjenden në këtë situatë ku në fakt, padrejtësia nuk u bëhet thjeshtë disa udhëheqësve të popullit të Kosovës në luftën për liri, por po i bëhet vetë atij populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, por që falë ushtrisë çflirimtare të Kosovës, falë Hashim Thaçit, falë Kadri Veselit, falë Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e të tjerëve, çliroi edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada e dekada turpi me radhë.
Zoti qoftë me burgosurit pa gjyq të Kosovës, në Hagë, që prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, janë pengje, pengje të një padrejtësie, një padrejtësie në Europën e lirisë demokracisë e shtetit ligjor.
Dhe le të lutemi që viti i ri të sjellë edhe fundin e këtij turpi në kurriz të luftës, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosoves, të Republikës së Kosovës, përveçse të disa individëve të pafajshëm.
