KPGJT, GARANCI PËR TREGUN E PUNËS/ Kolegji Profesional Gjerman i Teknologjisë diplomon brezin e dytë të studentëve

Kolegji Profesional Gjerman i Teknologjisë zhvilloi ceremoninë e diplomimit për brezin e dytë të studentëve, duke shënuar përfundimin e një etape të rëndësishme akademike dhe profesionale.

Aktiviteti mblodhi studentë, prindër, drejtues të institucionit, përfaqësues të industrisë dhe Kastrati Group, duke vënë theksin te arsimi profesional i orientuar drejt tregut të punës.

Rektori i KPGJT, akademik Jorgaq Kaçani, vlerësoi angazhimin e studentëve gjatë dy viteve të studimit dhe theksoi se programet e kolegjit janë ndër më të kërkuarat në treg, falë lidhjes së ngushtë me industrinë.

Gjatë këtyre dy viteve, studentët kanë kombinuar dijen teorike me praktikën profesionale në raportin 50% me 50%, falë bashkëpunimit me universitete dhe kompani prestigjioze, si dhe mbështetjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve dhe akreditimit nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë. Ky model tashmë po jep rezultate konkrete, me studentë që punësohen menjëherë pas diplomimit,” u shpreh rektori.

Prof. Luigi Galantucci nga Universiteti Politeknik i Barit nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kombinimit të teorisë me praktikën.

“Ky është një rrugëtim shumë i rëndësishëm, i cili kombinon njohuritë teorike me praktikën për të përmbushur nevojat e kompanive dhe industrive. Është thelbësore të mendojmë për të ardhmen dhe të jemi gati të eksplorojmë mundësi të reja dhe inovative”.

Genc Biçoku, përfaqësues i Kastrati Group, theksoi rolin kyç të arsimit profesional në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Arsimi profesional është një nga shtyllat më të rëndësishme për përgatitjen e të rinjve për tregun e punës. Përmes KPGJT, ne krijojmë ura të forta mes arsimit dhe industrisë, duke përgatitur profesionistë të aftë për karriera afatgjata në Shqipëri,” u shpreh ai.

Ndërsa përfaqësuesi i Albsig, Arjon Dakoli, bëri të ditur se një pjesë e të diplomuarve të brezit të parë janë punësuar menjëherë, duke dëshmuar kërkesën e tregut për profesionistë të kualifikuar.

Aktiviteti u mbyll me dorëzimin e diplomave dhe një mesazh inkurajues për studentët që të kontribuojnë me profesionalizëm dhe etikë pune në zhvillimin e vendit, ndwrsa u njoftua se nga viti 2026, KPGJT do të hapë një degë të re studimi në fushën e turizmit.