DRAFTI për konsultim publik/ Ndryshon ligji për administrimin e pasurive të sekuestruara, përfshihen edhe monedhat virtuale dhe ndërtimet pa leje
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) dhe Kryeadministratori do t’i kryejë vetë procedurat e shitjes për pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara, si dhe lidhjen në vijim të kontratave përkatëse, referuar ligjit për ankandin publik.
Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj që synon përmirësimin e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Ndryshimet përfshijnë pasuritë e sekuestruara/konfiskuara jo vetëm nga organet e drejtësisë, por edhe nga vendimet e pushtetit vendor dhe të organeve administrative, duke përfshirë ndërtime pa leje dhe monedha virtuale.
Qëllimi i projektligjit është të rrisë eficiencën dhe transparencën në menaxhimin e këtyre pasurive, të garantojë përdorimin e tyre ekonomik dhe social, dhe të sigurojë rikthimin e përfitimeve në komunitet. Ndër masat e propozuara është që procesi i shitjes së pasurive të kryhet drejtpërdrejt nga AAPSK, duke reduktuar burokracinë dhe vonesat që janë shkaktuar nga përfshirja e institucioneve të shumta.
Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e një fondi të posaçëm për ndërtimet pa leje dhe përcakton rregulla të qarta për administrimin e monedhave virtuale të sekuestruara/konfiskuara. Sipas planit, ligji do të përmbajë 14 nene dhe do të zbatohet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe AAPSK, me mbështetje nga ministritë përkatëse në procesin e zbatimit.
Ky hap pritet të forcojë mbrojtjen e interesit publik, të përmirësojë menaxhimin e pasurive dhe të rrisë të ardhurat për buxhetin e shtetit, duke siguruar një sistem më efikas dhe transparent të administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

