BOKS/ Fury mund të rikthehet për një duel me Joshuan në verën e vitit 2026
Boksieri britanik, Tyson Fury, ka deklaruar së fundi se mund të rikthehet në ring për një duel kundër Anthony Joshua, nëse arrihet “marrëveshja e duhur”. Lajmin e konfirmoi promotori i tij, Frank Warren, duke shtuar se negociatat për këtë përballje të shumëpritur po vazhdojnë.
Nëse bisedimet do të përfundojnë me sukses, sfida pritet të zhvillohet “diku nga fundi i verës” së vitit 2026. Warren për “Sky Sports News” tha: “Ka pasur disa bisedime, por ende nuk është nënshkruar asgjë. Tyson ka lënë të kuptohet se nëse marrëveshja është e drejtë për të, ai patjetër do të duelojë”.
Promotori shtoi se beson se negociatat po shkojnë në drejtimin e duhur dhe shpreson të ketë lajme shumë shpejt: “Unë besoj se sfida mes dy boksierëve britanikë do të ndodhë”.
Dueli mes Joshuas dhe Fury, të dy ish-kampionë bote dhe ndër boksierët më të mirë të peshave të rënda, është diskutuar prej vitesh. Sipas raportimeve të fundit, përballja është planifikuar për vitin e ardhshëm, ndërkohë që Joshua do të duelojë këtë javë kundër Jake Paul.
Warren gjithashtu theksoi se Fury ka qenë shumë aktiv në palestër dhe në stërvitje:
“Ai është në formë të shkëlqyer dhe vetë ka thënë se dëshiron të kthehet. Nëse marrëveshja do të jetë e drejtë, në verën e 2026 do ta shohim përsëri në ring. Tifozët e kanë pritur prej vitesh këtë duel dhe të gjithë po pyesin: ‘Kur do të duelojnë ata të dy?’ Do të jetë një sfidë madhështore”.

