RRITEN KAPACITETET NË ONKOLOGJIK/ Ministrja Sala: Përmirësojmë kushtet, sigurojmë barnat për pacientët
Shërbimi i Kimioterapisë në Spitalin Onkologjik të QSUT po zgjerohet, me tre salla funksionale që trajtojnë rreth 100 pacientë në ditë dhe plane për hapjen e një salle të katërt. Gjatë inspektimit të ambienteve të reja, ministrja e Shëndetësisë theksoi se investimet dhe digjitalizimi do të vijojnë për të përmirësuar kujdesin ndaj pacientëve.
Këto janë ambientet e reja të Shërbimit të Kimioterapisë në Spitalin Onkologjik të QSUT “Nënë Tereza”, ku çdo ditë marrin trajtim rreth 100 pacientë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, inspektoi hapësirat e reja ku aktualisht funksionojnë tre salla të dedikuara, ndërsa paralajmëroi se punohet për hapjen e të katërtës.
Falë bashkëpunimit me donatorët, shërbimi është pajisur me 30 poltrona të posaçme për kimioterapi, të cilat pritet të dyfishohen së shpejti, duke përmirësuar menaxhimin dhe ulur fluksin e pritjes.
Ministrja e Shëndetësisë theksoi se investimet do të vijojnë, me fokus të veçantë rritjen e kapaciteteve dhe sigurimin e barnave onkologjike.
Paralelisht, Spitali Onkologjik ka nisur zbatimin e shërbimeve të reja digjitale, si receta elektronike dhe dosja elektronike e pacientit (e-file), duke përmirësuar ndjekjen dhe menaxhimin e trajtimit për çdo pacient.
