Aksidente dhe ngjarje kriminale në Korçë dhe Pogradec/ 5 arrestime dhe disa procedime penale

Gjatë ditëve të fundit, zonat e Korçës dhe Pogradecit janë përfshirë nga aksidente dhe ngjarje kriminale. Një aksident i rëndë në tunelin e Memëlishtit la të plagosur dy persona, ndërsa drejtuesi i mjetit rezultoi në gjendje të dehur.

Përveç kësaj, janë arrestuar dhe proceduar persona për drejtim mjeti pa leje, drejtim nën efektin e alkoolit, vjedhje, dhunë ndaj prindërve dhe fyerje të një të miture. Një konflikt në zyrën e një avokati në Pogradec po hetohet ende.

Autorët e përfshirë janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

Njoftimi:

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin A. Z., 31 vjeç, banues në fshatin Memëlisht, Pogradec, pasi duke drejtuar automjetin tip "Volkswagen", ka humbur kontrollin dhe është përplasur me murin anësor të tunelit. Për pasojë është dëmtuar drejtuesi dhe pasagjeri në mjet, shtetasi E. T., 32 vjeç, banues në Memëlisht, i cili u transportua në spitalin e Traumës në Tiranë, për mjekim të specializuar. Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi A. Z., drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

Gjithashtu shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasit:

-R. M., 30 vjeç, banues në Maliq, pasi në aksin rrugor "Pogradec-Korçë", në afërsi të fshatit Çërravë, Pogradec, ky shtetas duke drejtuar automjetin me targa greke, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar. Pasi u kap dhe u ndalua, nga verifikimi i kryer rezultoi se drejtonte automjetin pa leje drejtimi;

-E. B., 37 vjeç, banues në fshatin Neviçisht, Korçë, pasi në aksin rrugor "Korçë-Bilisht", në afërsi të fshatit Dishnicë, u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;

-D. B., 41 vjeç, banues në Pogradec, pasi u kap duke drejtuar automjetin pa targa, në gjendje të dehur.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin I. S., 43 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se në lagjen nr. 3, Korçë, në ambientet e jashtme të një lokali, ka vjedhur disa vetrata duralumini.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasen V. Sh., 34 vjeçe, banuese në fshatin Pojan, Maliq, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së saj, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Më datë 12.12.2025, ka bërë kallëzim shtetasi A. L., 64 vjeç, banues në Korçë, se shtetasi Gj. L., 65 vjeç, banues në Korçë, ka fyer me fjalë, vajzën e tij të mitur.

Më datë 12.12.2025, shtetasi A. B., 64 vjeç, banues në Pogradec, me profesion avokat, ka bërë kallëzim se dje, në zyrën e tij, ka hyrë një shtetas i panjohur dhe është konfliktuar me të. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.