TURIZMI 2026, EVROPA RRIT TAKSAT/ Vendet europiane prezantojnë tarifa të reja për turizmin

Nga viti 2026, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia do t’i bashkohen vendeve si Italia, Greqia, Franca dhe Portugalia me vendosjen e taksave të reja turistike. Qëllimi është menaxhimi i fluksit të udhëtarëve dhe mbrojtja e destinacioneve të mbingarkuara. Masat sinjalizojnë një epokë të re të turizmit të qëndrueshëm në të gjithë kontinentin.

Europa po hyn në një fazë të re të turizmit të qëndrueshëm. Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia do të vendosin taksa të reja për turistët duke filluar nga viti 2026, duke iu bashkuar një liste gjithnjë e më të gjatë vendesh që po përballen me presionin e mbi-turizmit.

Edinburgu do të jetë qyteti i parë në Mbretërinë e Bashkuar që prezanton një taksë turistike. Nga korriku 2026, vizitorët do të paguajnë 5% mbi akomodimin. Qyteti thotë se të ardhurat do të përdoren për të përmirësuar shërbimet, infrastrukturën dhe për të mbrojtur zonat historike.

Ndërkohë Norvegjia do të zbatojë një taksë komunale deri në 3% për qëndrimet me natë dhe vizitat me kroçera. Rajonet e mbingarkuara nga turistët, veçanërisht fjordet, kërkojnë fonde të reja për mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e peizazheve ikonike.

Holanda ka shkuar edhe më larg. Amsterdami tashmë ka një nga taksat turistike më të larta në Evropë, 12.5% mbi akomodimin, dhe kostot për vizitorët që mbërrijnë me anije janë rritur sërish këtë vit. Qyteti synon të kufizojë fluksin e vizitorëve dhe të qetësojë jetën e banorëve.

Edhe Greqia ka prezantuar një taksë të re për qëndrueshmërinë klimatike. Në sezonin e pikut, vizitorët qëndrojnë me tarifa që arrijnë deri në 10 euro për natë në hotele luksoze, ndërsa zbarkimi në ishujt popullorë mund të kushtojë deri në 20 euro.

Italia ka zgjeruar sistemin e pagesave për hyrjen në Venecia. Në ditët e pikut, turistët ditorë paguajnë midis 5 dhe 10 euro. Qyteti kërkon të mbrojë ekosistemin e brishtë dhe të ulë mbipopullimin që ka qenë problem prej vitesh.

Në Portugali dhe Francë, taksat ndryshojnë sipas qyteteve. Parisit, për shembull, tarifat në hotelet luksoze mund të kalojnë 15 euro për natë. Azoret në Portugali kanë prezantuar tarifa të reja për vizitorët që nga 2025.

Ndërsa Evropa përpiqet të balancojë përfitimet ekonomike me mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore, udhëtarët do të kontribuojnë më shumë në mirëmbajtjen e destinacioneve që vizitojnë. Një kontinent i mbingarkuar nga udhëtimet po përgatitet për një model të ri, ku turizmi paguan edhe për pasojat e tij.