Putin: Moska mbështet Teheranin në programin e tij bërthamor

Presidenti i Rusisë tha sot, gjatë takimit me Presidentin e Iranit, Massoud Pezeshkian, se Moska mbështet Teheranin në programin e tij bërthamor.

Në Ashgabat, kryeqytetin e Turkmenistanit, Putin bisedoi me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, presidentin turkmen Serdar Berdymukhamedov dhe homologun e tij iranian Massoud Pezeshkian, raporton RIA Novosti.

Sipas Putinit, bashkëpunimi midis Moskës dhe Teheranit po zhvillohet me sukses, duke përfshirë bashkëpunimin në fushat e gazit, energjisë elektrike dhe bujqësisë.

Presidenti rus vuri në dukje se Moska mbështet Teheranin në programin e tij bërthamor.

“Jemi në kontakt të ngushtë për të gjitha çështjet kryesore ndërkombëtare , përfshirë të gjitha çështjet që lidhen me programin bërthamor të Iranit. Ju e dini qëndrimin tonë. Ne e mbështesim Iranin në Kombet e Bashkuara”, tha Putin.

Vitin e kaluar, qarkullimi tregtar i të dy vendeve u rrit me 13 për qind dhe me tetë për qind të tjerë në tre tremujorët e parë të vitit 2025 , kujton RIA.

“Ne vazhdojmë të punojmë në projektet tona kryesore, përfshirë Bushehrin, dhe zhvillimin e infrastrukturës, përfshirë rrugën Veri-Jug”, tha Putin.