GAZA MES PËRMBYTJEVE/ Kriza humanitare rëndohet teksa plani i paqes ngec sërish

Rreth 800 mijë banorë të Gazës rrezikojnë jetën nga përmbytjet e shkaktuara nga stuhitë e fuqishme dimërore. Kampet e të zhvendosurve janë përmbytur, ndërsa procesi i paqes mbetet i bllokuar. Banorët presin rindërtimin, teksa faza e dytë e planit amerikan rrezikon të dështojë.

Një stuhi e fuqishme dimërore ka goditur Rripin e Gazës, duke përkeqësuar një nga krizat më të rënda humanitare të viteve të fundit. Mbi 800 mijë njerëz rrezikojnë nga përmbytjet, ndërsa uji ka pushtuar kampet e të zhvendosurve, aty ku mijëra familje jetojnë ende në tenda të dëmtuara.

Këto janë pamje nga tenda të mbushura me ujë dhe  fëmijë mbi batanije të lagura.

Prindërit atje thonë se çdo ditë përballet me baltë, të ftohtë dhe frikë. Ajo pret rindërtimin e shtëpisë së saj, por procesi ka ngecur.

Dy muaj pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të, Gaza mbetet e bllokuar në fazën e parë të planit të paqes të presidentit amerikan Donald Trump. Territori është i ndarë, ndërsa faza e dytë nuk nis pa kthimin e pengut të fundit izraelit, Ran Gvili.

Izraeli këmbëngul se pa kthimin e pengjeve nuk ka lëvizje të mëtejshme. Ndërkohë, Hamasi akuzon Izraelin se po zvarrit marrëveshjen. Ekspertët paralajmërojnë se koha po mbaron: Hamasi riorganizohet, Izraeli heziton të tërhiqet dhe asnjë vend i huaj nuk pranon të vendosë trupa pa çarmatosjen e Hamasit.

Nën presionin e Uashingtonit, po përgatiten projektet e para të strehimit të përkohshëm në Rafah. Por shumë palestinezë refuzojnë të jetojnë nën kontroll izraelit, duke frikësuar se Gaza mund të ndahet edhe më shumë.

Ndërsa diskutohet paqja në tavolina ndërkombëtare, për banorët e Gazës lufta e përditshme vazhdon për strehë, për ngrohtësi dhe për shpresë. Nëse plani ngec sërish, humbësit e vetëm do të jenë njerëzit që sot luftojnë me përmbytjet dhe mbijetesën.