ITALIA TAKSON PAKOT/ Dy euro për çdo pako me vlerë deri në 150 euro për vendet jashtë BE
Italia planifikon një taksë prej 2 eurosh për çdo pako deri në 150 euro që futet nga vendet jashtë BE-së, si pjesë e një nisme që synon platformat si Shein dhe Temu. Gjithashtu, po dyfishon taksën mbi transaksionet financiare nga 0.2% në 0.4%.
Për çdo pako që do të dërgoni nga Shqipëria në Itali me vlerë deri në 150 euro, do të paguani edhe një taksë shtesë prej 2 eurosh për çdo dërgesë, sipas një drafti të ri të propozuar nga qeveria Meloni.
Roma planifikon të vendosë një tarifë të tillë për çdo dërgesë që futet nga vendet jashtë BE-së në Itali.
Taksa mbi pakot postare, pritet të sjellë përfitime me vlerë deri në mbi 120 milionë euro vitin e ardhshëm dhe 245 milionë euro për vitin 2027-2028, sipas dokumenteve parlamentare të publikuara nga Reuters.
Italia po ashtu do të dyfishojë taksën që paguhet kur blihen ose shiten aksione dhe instrumente të tjera financiare. Aktualisht kjo taksë është 0.2% dhe Italia do ta rrisë në 0.4%.
Pra, çdo shit-blerje e aksioneve ose instrumenteve të ngjashme do të bëhet më e shtrenjtë për investitorët.
Kjo taksë quhet shpesh “taksë mbi transaksionet financiare” ose “tobin tax”.
Lëvizja është në përputhje me një propozim që po diskutohet në Bashkimit Evropian, e cila kryesisht synon platformat online si Shein dhe Temu dhe kërkon të mbrojë industrinë e saj të modës nga importet e huaja me kosto të ulët, kryesisht nga Kina.
Autoritetet doganore të BE-së analzuan rreth 4.6 miliardë pako me vlerë të ulët të blera online në vitin 2024. 91% e tyre vinin nga Kina dhe ishin dyfishi i shifrës së vitit 2023, sipas të dhënave më të fundit.

