SULMI KIBERNETIK/ Berlini akuzon Moskën: Rusia fshihet pas sulmit ndaj kontrollit të trafikut ajror! Tentoi të ndikojë dhe destabilizojë zgjedhjet
Gjermania akuzon shërbimet ruse të inteligjencës për sulme kibernetike dhe ndërhyrje në zgjedhjet federale. Berlini paralajmëron masa ndëshkuese në koordinim me partnerët evropianë.
Gjermania ka akuzuar zyrtarisht Rusinë për një sulm kibernetik ndaj kontrollit të trafikut ajror dhe për ndërhyrje në zgjedhjet federale të mbajtura në shkurt të këtij viti. Për këto veprime, Berlini ka thirrur për sqarime ambasadorin rus, duke e cilësuar situatën si një kërcënim serioz ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit demokratik.
Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, sulmi kibernetik ka ndodhur në gusht të vitit 2024 dhe ka pasur në shënjestër sistemet e kontrollit të trafikut ajror. Autoritetet gjermane deklarojnë se pas këtij sulmi qëndron shërbimi ushtarak i inteligjencës ruse, GRU, përmes grupit të njohur të hakerëve “Fancy Bear”.
Po ashtu, Berlini akuzon Moskën se ka tentuar të ndikojë dhe destabilizojë zgjedhjet federale të këtij viti përmes një fushate dezinformimi të quajtur “Storm 1516”. Kjo fushatë, sipas shërbimeve të sigurisë, ka përfshirë publikimin e videove të rreme dhe pretendime për manipulim të votave vetëm disa ditë para zgjedhjeve.
Në fokus të sulmeve dezinformuese kanë qenë figura kryesore politike, mes tyre kandidati i të Gjelbërve Robert Habeck dhe kandidati i CDU-së Friedrich Merz, i cili tashmë mban postin e kancelarit. Qeveria gjermane thekson se këto veprime synonin të minonin besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe institucionet demokratike.
Autoritetet në Berlin kanë bërë të ditur se, në koordinim të ngushtë me partnerët evropianë, do të ndërmarrin kundërmasa konkrete për ta detyruar Rusinë “të paguajë çmimin” për veprimet e saj hibride. Ndërkohë, Rusia nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për këto akuza, megjithëse në të kaluarën ka mohuar çdo përfshirje në sulme kibernetike apo fushata destabilizuese në Evropë.
Akuzat e fundit vijnë në një klimë të tensionuar sigurie në kontinent, ku vendet evropiane raportojnë gjithnjë e më shpesh për sulme kibernetike dhe ndërhyrje të dyshuara ruse që nga nisja e luftës në Ukrainë në vitin 2022.

