Shtyhet për 22 dhjetor seanca ndaj të akuzuarve për vr*sjen e Liridona Ademajt
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, për vrasjen e Liridona Ademajt, e planifikuar të mbahej më 12 dhjetor 2025 në ora 09:30, është shtyrë.
Gjykata ka njoftuar se arsyeja e shtyrjes është pamundësia e pjesëmarrjes së gjyqtarit Alban Ajvazi, një nga anëtarët e trupit gjykues. Seanca e radhës është caktuar për 22 dhjetor 2025, në ora 09:30.
Sipas raportit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, Naim Murseli nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së vrasjes.
Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli u deklarua i pafajshëm, Granit Plava nuk dha deklaratë për fajësinë, kurse Kushtrim Kokalla nuk deklarohej pa u konsultuar me mbrojtjen. I vetmi i dënuar deri tani është Tom Dodaj, i cili pranoi fajësinë dhe u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Sipas aktakuzës, Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt për motive familjare dhe hakmarrje, duke përfshirë bashkëpunimin me Plavën dhe Kokallën. Armën për kryerjen e veprës, me 20 fishekë, Murseli e siguroi nga Tom Dodaj për 280 euro.
Gjykimi i këtij rasti, që ka trazuar opinionin publik, pritet të vazhdojë më 22 dhjetor 2025, me objektiv zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësive të të akuzuarve.

