Gara për kreun e SPAK/ Klodian Braho: Askush s'do të jetë mbi ligjin, vizioni im është organizimi dhe konsolidimi i Prokurorisë së Posaçme
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) po zhvillon sot mbledhjen për zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Në garë janë katër kandidatë: Adnand Xholi, Elvin Gogaj, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho.
Klodian Braho është i fundit në radhë i cili po paraqet platformën e tij në garë për kreun e SPAK.
“Kam rreth 18 vite në sistemin e Prokurorisë. Kam ushtrua funksionin e Prokurorit në disa zyra të ndryshme të vendit. Në Prokurorinë Vlorë kam qenë pjesë e njësisë Task Forcë në këtë prokurori.
Prej ditës së parë të Funksionimit të Prokurorisë së Posaçme jam pjesë e kësaj strukture.
Së bashku me platformën tim kam paraqitur çështje penale së bashku me zyrtarë të lartë. Në çështjet penale që kam prezantuar lidhur me zyrtarë të lartë kam kërkuar konfiskim e pasurve që shkojnë miliona euro. Në vitin 2023 u konfiskuan 18.4 milionë euro që i përkisnin një organizate kriminale.
Vizioni im përfshin organizimin dhe konsolidimin e Prokurorisë së Posaçme.
Prokuroria e Posaçme ka një kornizë strategjike të miratuar… Sa i përket ushtrimit të ndjekjes penale do garantohet zbatimi i ligjit, askush nuk do të jetë mbi ligjin”, tha ai.
PROFIL
Klodian Braho u lind në Skrapar më 21 korrik 1982. Në vitet 2000-2004 kreu studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe në 2005-2008 studioi në Shkollën e Magjistraturës. Ai mori emërimin më 14 nëntor 2007.
Ka pasur këto detyra:
14.11.2007-2012/ Prokuror pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.
2012-2015/ Prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2014-2015/ Zv.drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2015-19.12.2019/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
Nga 19 dhjetori 2019 dhe aktualisht është prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

