14 VITE BURG PËR ISH-KRYESPIUNIN! Pakistani dënon Faiz Hameed, figura më e fuqishme pas shefit të ushtrisë
Pakistanit i është shtuar një precedent historik: për herë të parë një ish-shef i ISI-së dënohet me burg në një proces ushtarak, mes akuzave për ndërhyrje politike dhe shkelje sekretesh shtetërore—një rast që mund të riformësojë ekuilibrat e pushtetit në vend.
Pakistani ka dënuar me 14 vite burg ish-shefin e inteligjencës Faiz Hameed, një nga figurat më të fuqishme të ushtrisë dhe një aleat i afërt i ish-kryeministrit Imran Khan.
Hameed, i cili drejtoi Inter-Services Intelligence nga viti 2019 deri në 2021, u shpall fajtor nga një gjykatë ushtarake për shkelje të sekreteve shtetërore, përfshirje në politikë, keqpërdorim të pushtetit dhe dëmtim të qytetarëve.
Ky është rasti i parë në historinë e Pakistanit që ish-kreu i ISI-së i nënshtrohet një procesi gjyqësor ushtarak dhe dënohet. Pozicioni që ai mbajti prë 6 vite konsiderohet tradicionalisht si i dyti më i fuqishëm në strukturën e ushtrisë pakistaneze, gjë që e bën vendimin edhe më të jashtëzakonshëm.
Sipas deklaratës , procesi gjyqësor zgjati 15 muaj dhe nisi më 12 gusht 2024, në bazë të Aktit të Ushtrisë Pakistaneze. Hameed u gjykua në katër akuza kryesore, ndërsa iu dha mundësia të zgjidhte ekipin e tij mbrojtës. Ai ka të drejtën të apelojë vendimin në Gjykatën e Lartë të Pakistanit.
Detajet e dosjes mbeten të klasifikuara, pasi gjykimi u zhvillua me dyer të mbyllura. Megjithatë, autoritetet kanë konfirmuar se akuza të tjera ndaj Hameed, lidhur me nxitjen e trazirave politike, po trajtohen në një proces të veçantë.
Kjo besohet të lidhet me rolin e dyshuar të tij në protestat e dhunshme që shpërthyen pas arrestimit të Imran Khan më 9 maj 2023.
Hameed, i njohur si mbështetës i fuqishëm i Khanit, doli në pension pak pas rrëzimit të ish-kryeministrit në vitin 2022.
Dënimi i tij shihet si pjesë e një goditjeje të gjerë të ushtrisë ndaj strukturave të brendshme që dyshohen se kanë ndikuar në politikë.
Ky vendim pritet të thellojë edhe më shumë tensionet në një vend tashmë të polarizuar, ndërsa vëmendja tashmë është tek apelimi i Hameed dhe proceset që mund të ndjekin.

