KUFIRI NË FLAKË/ Përplasjet e reja Tajlandë–Kamboxhia rrisin rrezikun rajonal
Përplasjet midis Tajlandës dhe Kamboxhias janë ringjallur, duke detyruar mijëra banorë të largohen nga zonat kufitare. Akuzat për mina të reja, sulme të armatosura dhe tensione politike po shtyjnë dy vendet drejt një përshkallëzimi të rrezikshëm. Ushtria tajlandeze ka marrë autorizim të plotë veprimi, ndërsa diplomacia mbetet në ngërç.
Kufiri Tajlandë–Kamboxhia është kthyer sërish në vatër konflikti. Luftimet e fundit kanë detyruar mijëra banorë të braktisin shtëpitë e tyre, për herë të dytë në vetëm pesë muaj.
Tensionet shpërthyen pas një incidenti ku një ekip inxhinierësh tajlandezë u qëllua në një zonë të diskutuar. Dy ushtarë tajlandezë mbetën të plagosur, dhe ushtria tajlandeze fajësoi trupat kamboxhiane.
Armëpushimi i korrikut, i ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Donald Trump, tashmë ka dështuar. Tajlanda e pranoi marrëveshjen nën presion ekonomik, ndërsa Kamboxhia e mirëpriti si garanci ndërkombëtare të sigurisë së saj.
Por akuzat e reja për mina tokësore kanë ndezur sërish konfliktin. Shtatë ushtarë tajlandezë u plagosën rëndë, duke detyruar Bangkokun të refuzojë lirimin e 18 ushtarëve kamboxhianë të kapur më herët.
Ushtria tajlandeze ka marrë tashmë autorizim të plotë veprimi dhe synon të sigurojë disa kodra strategjike pranë vijës së kufirit pikë kyçe për kontrollin e rajonit.
Situatën e tensionon më tej ndikimi politik i ish-kryeministrit kamboxhian Hun Sen. Publikimi i një bisede konfidenciale të ish-kryeministres tajlandeze Paetongtarn Shinawatra shkaktoi një krizë politike në Bangkok, duke rrëzuar qeverinë dhe duke ndezur ndjenjat anti-kamboxhiane.
Si rezultat, opinioni publik në Tajlandë tani mbështet qasjen e ashpër të ushtrisë. Ndërsa Kamboxhia kërkon rikthimin e bisedimeve, Tajlanda kushtëzon negociatat me një verifikim të plotë të ndalimit të minave tokësore.
Me diplomacinë të bllokuar dhe tensionet në rritje, rreziku për një përshkallëzim të ri në kufirin Tajlandë–Kamboxhia mbetet tejet i lartë. Ndërkohë, civilët presin sërish në pasiguri fatin e tyre mes paqes së brishtë dhe frikës së luftës.

