Rëndohet situata në Mianmar! Junta godet spitalin, 34 viktima nga sulmet! Arrestime dhe represion, opozita paralajmëron ...
34 persona u vranë dhe dhjetëra u plagosën pasi ushtria e Mianmarit goditi me sulme ajrore një spital në një zonë të kontrolluar nga Ushtria Arakane. Ngjarja vjen në një periudhë tensioni të lartë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, të cilat kritikët i cilësojnë si farsë.
Të paktën 34 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi një seri sulmesh ajrore nga ushtria e Mianmarit goditi të mërkurën në mbrëmje një spital në perëndim të vendit.
Ngjarja ndodhi në qytetin Mrauk, zonë e kontrolluar nga Ushtria Arakane një nga grupet etnike më të fuqishme që luftojnë kundër regjimit ushtarak.
Që prej grushtit të shtetit në vitin 2021, Mianmari është zhytur në luftë civile.
Mijëra persona janë vrarë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur.
Së fundmi, junta ka intensifikuar përdorimin e bombardimeve ajrore për të rimarrë territor nga grupet etnike të armatosura.
Ushtria nuk ka komentuar për sulmin, i cili vjen teksa vendi po përgatitet për zgjedhjet e para që nga grushti i shtetit, të planifikuara më 28 dhjetor.
Megjithatë, kanalet pro-ushtrisë në Telegram pretendojnë se objektivi i sulmeve nuk kanë qenë civilët.
Fotografi të qarkulluara në rrjete sociale tregojnë pjesë të spitalit të shkatërruara, çati të shembura, krevate të thyer dhe mbeturina të shpërndara në oborrin e kompleksit.
Ndërkohë, liritë civile në Mianmar janë shtrënguar ndjeshëm, dhjetëra mijëra kundërshtarë të regjimit janë arrestuar, sipas organizatave të të drejtave të njeriut.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit, të cilat junta i paraqet si rrugë drejt stabilitetit politik, janë cilësuar nga kritikët si një proces i paracaktuar dhe jo i lirë. Raportuesi i OKB-së për të drejtat e njeriut në Mianmar, Tom Andreës, i ka quajtur ato “zgjedhje farsë”.
Në javët e fundit, autoritetet kanë arrestuar civilë të akuzuar për fushata kundër procesit zgjedhor, përfshirë një burrë që pretendon se publikoi mesazhe anti-zgjedhore në Facebook.
Grupet etnike dhe forcat e tjera opozitare kanë paralajmëruar bojkotim të zgjedhjeve. Sipas Associated Press, të paktën një kandidat zgjedhor në rajonin Magëay është rrëmbyer nga një grup anti-juntë.

