Kush do të pasojë Altin Dumanin? Zgjedhja e kreut të ri të SPAK-ut, edhe ndërkombëtarët zbarkojnë në KLP
Kreu i mandatit të Altin Dumanit në krye të SPAK po i afrohet fundit, ndërsa sot në orën 09:00 Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zhvillojë mbledhjen vendimtare për të zgjedhur drejtuesin e ri të strukturës antikorrupsion.
Seanca do të jetë e hapur për mediat dhe do të ndiqet edhe nga përfaqësues të institucioneve kyçe, përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Drejtësisë, projektin Eu4Justice dhe programin amerikan OPDAT.
Për pozicionin e kreut të SPAK garojnë katër prokurorë: Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gogaj dhe Klodian Braho.
Për herë të parë një grua kandidon për drejtuese të SPAK. Kandidatët do të paraqesin para anëtarëve të KLP platformat e tyre për drejtimin e SPAK dhe më pas do të votohet për emrin që do të drejtojë SPAK.

Në prag të këtij procesi, SHBA shprehu vlerësimin për punën e Altin Dumanit, pas takimit që zëvendësdrejtori për Çështjet e Europës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin amerikan të Shtetit, Lyn Debevoise, zhvilloi me të një ditë më parë.
Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, si dhe ambasada britanike, apeluan që procesi i përzgjedhjes të zhvillohet me transparencë dhe integritet, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjes së një drejtuesi të pavarur, profesionist dhe të përkushtuar ndaj standardeve evropiane.
Altin Dumani është zgjedhur në krye të SPAK më 18 dhjetor 2022 dhe është prokurori i dytë që ka drejtuar SPAK që nga themelimi i Strukturës së Posaçme, pas Arben Krajës. Mandati i kryeprokurorit është 3-vjeçar dhe pa të drejtë rikandidimi.

