Metani: Ekuilibri mes pavarësisë së magjistratëve dhe interesit legjitim të publikut, busulla e ILD-së

Inspektori i Lartë i Drejtësisë organizoi sot një pasdite pune mbi procesin disiplinor në Shqipëri.

Eventi me të ftuar nga institucione të drejtësisë e gjykatave e prokurorive në vend shfaqi dokumentarin televiziv “Të inspektosh drejtësinë”, mbi inspektimin disiplinor pas viteve ’90 dhe promovoi një botim dokumentar, mbi historikun mbi njëshekullor të procesit disiplinor në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij, kreu i ILD-së, Artur Metani, theksoi rëndësinë e prodhimit të një dokumentimi historik lidhur me ecurinë e inspektimit gjyqësor në Shqipëri që nga viti 1912.

Sipas tij, ky botim ofron një panoramë të qartë të zhvillimeve historike të shërbimit të inspektimit gjyqësor.

“Materialet që botohen në këtë libër përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme nga tradita institucionale e drejtësisë shqiptare. Besoj se janë materiale, pak të njohura për shumë prej nesh. Me përjashtim të studiuesve të veçantë për këtë fushë, komuniteti i juristëve të interesuar për zhvillimet e drejtësisë në Shqipëri, nuk e kanë pasur mundësinë të njihen drejtpërdrejt me materialet që paraqitura në këtë libër nëpërmjet burimeve arkivore”, tha ai.

Metani tha se materiali është paraqitur pa interpretime apo komente, vetëm përmes dokumenteve autentike të marra nga burimet arkivore.

“Ndodh, që edhe botimet e thjeshta me objekt temën historike, mund të ngjallin debat. Por, me këtë botim, ne nuk kemi dashur të bëjmë asnjë interpretim apo koment mbi ngjarjet historike, që kanë shënjuar lindjen dhe zhvillimin e inspektimit gjyqësor. Ne kemi zgjedhur të paraqesim dokumentet në formën e tyre të pastër, ashtu siç dalin në burimet arkivore, me qëllimin e vetëm për të sjellë në dritë të vërtetën historike”, theksoi ai.

Inspektori i ILD-së u ndal edhe tek zhvillimi i institucionit të inspektoratit të drejtësisë ndër vite në vendin tonë. Gjatë fjalës së tij, Metani u ndal edhe tek miratimi i Reformës në Drejtësi që sipas tij solli një arkitekturë të re institucionale, ku Inspektori i Lartë i Drejtësisë mori për herë të parë kompetencën e vetme për proceset disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Metani nënvizoi se zgjedhja në krye të ILD-së shënoi fillimin e një përgjegjësie për vendosjen e standardeve profesionale.

“Në këtë arkitekturë të re, procesi disiplinor vjen për herë të parë si kompetencë e një institucioni të vetëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, një institucion i pavarur kushtetues, që ka përgjegjësinë e inspektimit disiplinor për gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve. Zgjedhja në detyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë erdhi me përgjegjësinë e jashtëzakonshme, për përballjen me ngritjen e një institucioni të tillë me themele të forta profesionale, me pritshmëritë e publikut dhe aktorëve të tjerë politikë e institucionalë dhe me pritshmëritë e vetë sistemit të drejtësisë. Duke mos patur model paraardhës, vendosja e standardeve të tilla dhe mbi të gjitha, ruajtja e ekuilibrit mes pavarësisë së magjistratëve dhe interesit krejt legjitim të publikut për mënyrën se si administrohet drejtësia, ishte dhe mbetet busulla orientuese e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, shtoi Metani.

“Kjo mbetet sfida më e madhe profesionale dhe personale e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, jo për stabilitet institucional, por duke e parë këtë balancë interesash, si një parim kushtetues të rëndësishëm për të ardhmen e sistemit të drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës. Natyrshëm si çdo proces, edhe testimi i kësaj filozofie pune, kërkon periudhën e vet të përballjes me sfidat që kalon sistemi dhe koha do të tregojë qëndrueshmërinë e zbatimit të saj në praktikë, si dhe efektet afatgjata në sistem”, tha ai.