Përgjuesit 24 orë në Shqipëri, policia çon në prokurori 3 italianët. Ju sekuestruan çanta me pajisje përgjimi dhe GPS
Një skuadër përgjimi e Guardia Di Finanza Italiane, është ndaluar në Portin e Durrësit, teksa ishte duke dalë nga territori Shqiptar për të shkuar në Itali.
Bëhet fjalë për dy oficerë të Guardia Di Finanza dhe një person tjetër, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë nga policia e Shtetit, pasi i ndruhen një përplasje institucionale mes dy shteteve.
Shkak i ndalimit është bërë zbulimi në furgonin e tyre të disa çantave, ku brenda tyre kishte pajisje elektronike përgjimi, GPS-a, tela, kaçavida dhe pinca.
Grupi i përgjimit kishin hyrë në Shqipëri me furgon nga Porti i Durrësit dhe pasi kanë qëndruar gati 24 orë në territorin Shqiptar, ditën e nesërme janë larguar po me furgon, duke përdorur të njëjtin intenerar kthimi.
Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se në momentin kur janë ndaluar në Portin e Durrësit, policia shqiptare i ka kërkuar shpjegime se për çfarë aktiviteti dhe qëllimi ishin në Shqipëri me aparatura përgjimi.
Por dy nga të shoqëruarit, kanë pretenduar se janë oficerë të Guardia Di Finanzas dhe për të hyrë në Shqipëri me pajisje përgjimi kanë pasur autorizim. Por ky ka qënë vetëm një deklarim, pasi oficerët nuk kanë paraqitur asnjë dokument autorizimi.
Pas marrjes së deklarimeve të tyre, të 3 janë lënë të lirë për të vijuar rrugëtimin drejt Italisë. Ndërkohë policia e Durrësit ka sekuestruar çantat me pajisjet përgjuese, GPS-a, tela, kaçavida dhe pinca.
Çështja, tashmë është referuar nga policia kufitare në prokurorinë e Durrësit, për të kryer veprime të mëtejshme. Ndërsa rasti në fjalë nuk është pasqyruar në asnjë komunikatë publike policore.
Ka dyshime dhe indicie të forta se grupi i përgjimit ka hyrë në Shqipëri për të kryer veprime përgjuese për llogari të një hetimi në Itali, por pa dhënë detaje se cilin person apo grup ka qënë objektivi i tyre. Ata kanë qëndruar vetëm 24 orë në Shqipëri dhe më pas janë larguar./Syri.net

