Gjykata dënon me 16 vite burg Marjo Përlleshaj, avokati i familjes së Martin Canit: Vendimi i drejtë

Gjykata dënon me 16 vite burg Marjo Përlleshajn, adoleshenti që vrau me thikë të riu Martin Canin një vit më parë.

Si autori, ashtu edhe viktima ishin nxënës të shkollës 9-vjeçare Fan. S. Noli në kryeqytet, ndërsa ngjarja tronditi opinionin publik. Ndërkohë, avokati i familjes Cani tha se sot drejtësia u vu në vend.

“Ne mendojmë se nuk është çështje dënimi, por drejtësie, çështje për të mbrojtur dy të mitur dhe shumë pre tyre. Ky duhet të jetë mesazh për qeverinë shqiptare dhe institucionet arsimore, që edukojnë rininë shqiptare. Ne do të ndjekim dhe më tutje çdo të drejtë ligjore të familjes Cani. Do të vazhdojmë në instancat më të larta, për këtë çështje. Është dënuar për dy vepra penale i pandehuri, ka marrë vetëm 16 vite dënim. Sot kemi drejtësi dhe gjykatat shqiptare japin drejtësi dhe përpiqen që këto çështje të rëndësishme, të dhimbshme e kanë trajtuar. Ne do ta vlerësojmë vendimin kur të zbardhet i plotë. Sot gjykata bëri drejtësi.”, tha ai.

Autori i dyshuar pretendon se e kishin lënë të sqaroheshin të hënën, ditë kur edhe ndodhi vrasja, në një rrugicë pak metra larg shkollës. Tre ditë para se të vritej gjatë një sherri pas përfundimit të mësimit, Martin Cani dhe i dyshuari, kishin pasur një konflikt brenda shkollës, i cili në dukje u mbyll, por u neglizhua edhe nga vetë oficerja e sigurisë së “Fan Nolit” duke mos u raportuar në drejtori apo tek prindërit e fëmijëve.

Skena tragjike ndodhi pas mësimit. Ata u takuan jo shumë larg shkollës, ku nisi një sherr që përfundoi me vrasjen e Martinit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosje të autorit me thikën e tij. Pas ngjarjes autori e hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të vjetër, e cila u gjet disa ditë më vonë dhe ekspertiza nxori se me të njëjtën thikë ishte goditur viktima dhe i plagosuri.

DEKLARATË PËR SHTYP – FAMILJA CANI

Sot, pas një viti dhimbjeje që nuk përshkruhet me fjalë, ne — familja e Martin Canit — kemi parë për herë të parë një rreze të fortë drejtësie.

Gjykata vendosi të mos ndjekë rekomandimin e Prokurorisë, e cila e trajtoi ngjarjen si një vepër të vetme penale por e njohu qartë atë që ne e kemi thënë që në ditën e parë: janë DY vepra penale — vrasja e Martinit dhe tentativë vrasje ndaj Luisit.

Ky vendim është një akt kurajoz, profesional dhe i drejtë.

Është një vlerësim real i asaj që ndodhi: dy fëmijë të goditur me thikë, dy akte të veçanta dhune, dy qëllime kriminale të ndara.

I falenderojmë gjyqtarët për integritetin dhe ndershmërinë e tyre, që zgjodhën të shohin të vërtetën dhe jo rrugën më të lehtë procedurale.

Ky vendim nuk na e kthen dot Martinin, por na jep një ndjenjë të thellë se dhimbja jonë nuk u shpërfill dhe se jeta e tij u trajtua me peshën dhe dinjitetin që meriton.

Sot, Martini është më i gjallë se kurrë në ndërgjegjen e shoqërisë.

Ne do të vazhdojmë misionin tone me:

•       Muzeun "Martin Cani", një vend i kujtesës dhe edukimit.

•       Filmin mbi jetën e tij, që do të mbajë gjallë ëndrrën e tij të futbollit dhe të ardhmes që nuk arriti ta jetojë.

•       Fondacionin Martin Cani, që do të luftojë për sigurinë e fëmijëve në shkolla, që askush të mos përjetojë atë që kaluam ne.

Falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë qëndruar pranë nesh.

Sot, drejtësia foli me zë të qartë për Martin Canin.