"PS votoi kundër"/ Xhixho: Shqiptarët i paguajnë sot deri 50% më shtrenjtë ushqimet në krahasim me qytetarët europianë

Deputetja e PL, Erisa Xhixho përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se shqiptarët i paguajnë sot deri 50% më shtrenjtë ushqimet në krahasim me qytetarët europianë.

Postimi:

Sot maxhoranca në Komisionin e Ligjeve votoi kundër propozimit të Partisë së Lirisë për uljen e TVSH-së nga 20% në 5% për produktet ushqimore të shportës – një masë minimale, sociale dhe urgjente që do të lehtësonte menjëherë barrën e çmimeve për familjet shqiptare.

Ky votim tregon qartë se qeveria ka zgjedhur të mbrojë të ardhurat e veta nga TVSH-ja, jo jetën e qytetarëve që përballen me koston më të lartë të jetesës në Europë.

Me fuqinë blerëse më të ulët në kontinent, me pagën minimale dhe pensionet më të ulëta në rajon, shqiptarët i paguajnë sot deri 50% më shtrenjtë ushqimet në krahasim me qytetarët europianë.

Ndërsa vendet e BE-së dhe rajonit aplikojnë TVSH të reduktuar 4–8% për ushqimet bazë, Shqipëria mban nivelin absurd prej 20%, duke goditur më fort familjet me të ardhura të ulëta dhe pensionistët që shpenzojnë 90% të pensionit vetëm për ushqime.
— Kosova: 8%
— Maqedonia e Veriut: 5%
— Mali i Zi: 7%
— Italia: 4% (bukë, qumësht, miell)
— Greqia: 6%
— BE: lejon norma të reduktuara deri në 0% për ushqimet bazë
Refuzimi i kësaj nisme nga kolegët e maxhorancës nuk është thjesht një vendim ekonomik – është një akt politik që tregon se qeverisë i intereson vetëm arka plot dhe aspak realiteti i qytetarëve.

Ndërkohë që qytetarët përballen me çmime të papërballueshme, qeveria ka arkëtuar 499 miliardë lekë nga TVSH-ja vetëm nga janari në gusht 2025.

Rritja e çmimeve është kthyer në burim fitimi për shtetin, jo në problem për t’u zgjidhur.

Partia e Lirisë do të vazhdojë betejën me çdo mjet ligjor për uljen e TVSH-së në 5% dhe për mbrojtjen e dinjitetit ekonomik të çdo familjeje shqiptare .