Pesë nga vendet më të sigurta në botë për vitin 2025
Në një vit të shënuar nga konflikte dhe pasiguri globale, pesë shtete vazhdojnë të kryesojnë listën e vendeve më të qeta në botë. Banorët e tyre tregojnë se si politikat dhe kultura formësojnë jetën e përditshme dhe krijojnë një ndjenjë të veçantë qetësie.
Në vitin 2025, paqja është ndjerë më e brishtë se kurrë. Luftërat ndërkombëtare janë shtuar, siguria kufitare është forcuar dhe tensionet tregtare po rriten. Sipas Indeksit Global të Paqes (GPI) 2025, numri i konflikteve shtetërore ka arritur nivelin më të lartë që nga Lufta e Dytë Botërore, me tre konflikte të reja vetëm këtë vit. Shumë vende po reagojnë me rritje të militarizimit.
Megjithatë, disa shtete vazhdojnë t'i japin përparësi paqes dhe stabilitetit. GPI, i hartuar nga Instituti për Ekonomi dhe Paqe, mat 23 tregues – nga konfliktet e jashtme dhe shpenzimet ushtarake deri te siguria e brendshme, terrorizmi dhe normat e vrasjeve. Vendet që kryesojnë listën kanë mbajtur stabilitet të lartë për gati dy dekada, duke treguar se politikat paqësore sjellin rezultate afatgjata.
Folëm me banorë të disa prej vendeve më të sigurta në botë për të zbuluar si ndikojnë këto politika në jetën e përditshme – dhe çfarë i bën ata të ndihen kaq të qetë.
Islanda
E renditur e para që nga viti 2008, Islanda mbetet shteti më paqësor në botë, duke kryesuar në të tre kategoritë kryesore të GPI: siguri dhe mbrojtje, konflikt i vazhdueshëm dhe militarizim. Ajo shënoi edhe një përmirësim prej 2% këtë vit, duke e zgjeruar edhe më shumë epërsinë ndaj vendeve të tjera.
Për vendasit, siguria është pjesë e jetës së përditshme.
"Edhe pse moti i ashpër – sidomos në dimër – nuk të jep gjithmonë ndjenjën e sigurisë, komuniteti e bën këtë", thotë Inga Rós Antoníusdóttir, lindur dhe rritur në Islandë dhe drejtoreshë e Intrepid Travel North Europe. “Mund të ecësh vetëm natën pa u shqetësuar, shikon foshnje që flenë në karroca jashtë kafeneve, ndërsa prindërit e tyre hanë apo kryejnë punë, dhe policia nuk mban armë.”
Ajo thekson se barazia gjinore është një faktor kyç që i ndihmon gratë të ndihen të sigurta.
“Mundësitë e barabarta dhe sistemi i fortë social krijojnë një shoqëri më të drejtë e më të sigurt për të gjithë”, thotë Inga.
Vizitorëve u rekomandon të përjetojnë ritmet e vendit: notin në pishina gjeotermale, ecjet malore apo skenën e pasur të artit dhe muzikës. “Islanda e vërtetë është në natyrë dhe tek njerëzit e saj, në çdo lloj moti.”
Irlanda
Edhe pse ka një histori konfliktesh, Irlanda moderne e ka vënë paqen në qendër të politikave të saj. Ajo shënon rezultate të larta për uljen e militarizimit dhe është ndër vendet me më pak konflikte të brendshme dhe ndërkombëtare. Gjithashtu renditet në top-10 për sigurinë shoqërore dhe nivelin e ulët të kriminalitetit.
“Ka një ndjenjë të fortë komuniteti dhe mikpritjeje kudo – në fshat apo në qytet”, thotë Jack Fitzsimons, banor i Kildare dhe drejtor i përvojave në Kështjellën Kilkea. Ai thekson se sistemet sociale dhe kujdesi për komunitetin reduktojnë tensionet:
“Njerëzit kujdesen për njëri-tjetrin. Mund t’i kërkosh ndihmë një të panjohuri dhe ai do të përpiqet të të ndihmojë.”
Në planin ndërkombëtar, Irlanda mban neutralitet ushtarak dhe preferon diplomacinë ndaj konfliktit. Brenda vendit, ruajtja e natyrës, kulturës dhe mikpritja janë prioritete kyçe.
“Vizitorët gjithmonë habiten me miqësinë e irlandezëve – për ne, është pjesë e identitetit”, thotë Fitzsimons.
Ritmi i qetë i jetës, natyra e bukur dhe kultura e tregimit të historive krijojnë një atmosferë të veçantë paqeje.
Zelanda e Re
Zelanda e Re u ngjit në vendin e tretë këtë vit, falë përmirësimeve në sigurinë e brendshme dhe reduktimit të ngjarjeve të lidhura me terrorizmin.
Si një shtet ishullor në Paqësor, ajo ka mbrojtje natyrore nga konfliktet e jashtme, por edhe politikat e brendshme luajnë rol të madh.
“Ligjet për armët janë ndër më të rreptat në botë, dhe kjo të jep ndjenjë të vërtetë sigurie”, thotë Mischa Mannix-Opie, drejtoreshë në kompaninë e zhvendosjeve Greener Pastures. Ajo shton se fëmijët shkojnë vetëm në shkollë, njerëzit lënë dyert hapur, dhe drejtuesit ndalojnë të ndihmojnë nëse dikush ka mbetur në rrugë.
Banorët janë të lidhur ngushtë me natyrën – ecjet në pyje, plazh apo mbrëmjet nën yje janë pjesë e jetës së përditshme. Ngjarjet komunitare për të gjitha moshat dhe kultura maori e pranishme krijojnë një identitet të fortë shoqëror.
“Një klient më tha se edhe pse vendi është i bukur, njerëzit janë superfuqia jonë”, shton Mannix-Opie.
Austria
Edhe pse këtë vit ra një vend dhe u rendit e katërta, Austria mbetet ndër vendet më të sigurta në botë. Ajo ka neutralitet të garantuar me kushtetutë, duke shmangur aleancat ushtarake si NATO dhe duke përqendruar energjitë në zhvillimin e brendshëm.
“Neutraliteti prej dekadash ka bërë që shteti të investojë te njerëzit, jo te konfliktet”, shpjegon Armin Pfurtscheller, pronar i SPA-Hotel Jagdhof. Ai përmend sistemin e fortë social, shëndetësinë e shkëlqyer dhe arsimin cilësor si bazat e stabilitetit.
Në zonat alpine, si Lugina Stubai ku jeton Armini, jeta është tejet e sigurt: njerëzit ecin natën në qetësi pranë lumit, shtëpitë mbahen të hapura dhe biçikletat lihet jashtë pa zinxhir.
“Siguria nuk është vetëm statistikë – është një mënyrë jetese”, thotë ai.
Ai shton se vizitorët e ndiejnë këtë menjëherë:
“Pas pak ditësh, stresi u largohet, flenë si fëmijë dhe fillojnë të vlerësojnë qetësinë e maleve.”
Singapori
I vetmi vend aziatik në top-10, Singapori ruan pozicionin e tij të gjashtë. Ai ka një nga normat më të larta të sigurisë në botë, pavarësisht shpenzimeve të mëdha ushtarake.
Banorët ndihen të sigurt pothuajse në çdo moment.
“Dal natën vonë dhe nuk kam frikë. Kthimi në shtëpi nuk të sjell ankth si në shumicën e metropoleve”, thotë Xinrun Han. “Ka besim të ndërsjellë te sistemi dhe tek njerëzit, dhe kjo krijon një mjedis paqësor.”
Pavarësisht kufizimeve për të drejtat LGBT+, ngjarje si festivali Pink Dot tregojnë progres shoqëror dhe rritjen e hapjes.
Han u sugjeron vizitorëve ta përqafojnë lirinë që sjell siguria: shëtitjet natën pranë lumit, ushqimi rrugor në orët e vona dhe vizitat në parqe pas errësirës.
“Kudo e ndjen një liri të madhe – qoftë si banor, qoftë si turist.”

