Universiteti i Arteve, projekte të përbashkëta me Accademia di Belle Arti-Catanzaro

Akademia e Arteve të Bukura në Catanzaro (Itali) dhe Universiteti i Arteve të Tiranës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të ndërkombëtarizimit të studimeve dhe të projektit të arteve performuese “PERFORMING” të mbështetur nga fondet PNRR.

Delegacioni i Universitetit të Arteve kryesohej nga rektori prof. dr. Erald Bakalli dhe pati rastin të bëjë takime të nivelit të lartë të përfaqësuesve institucionalë, në Lamezia Terme, si me presidenten e ABA Catanzaro, profesoreshën Stefania Mancuso, presidenten e International Cultural Fondation etj.

Universiteti i Arteve, projekte të përbashkëta me Accademia di

Universiteti i Arteve bëri të ditur se, në kuadër të përurimit të rrjetit “Culture Med Hub” me moton “Arti, Shkenca dhe Kreativiteti për Mesdheun”, u përshkrua vizioni i ICF, për një cikël aktivitetesh kulturore e shkencore me profil të lartë ndërkombëtar që do t’i dedikohen bashkëpunimit euro-mesdhetar, duke vënë qendër idenë e një Mesdheu të aftë të gjenerojë forma novative të njohjes, dialogut dhe rritjes së përbashkët dhe ku traditat dhe vizionet e reja takohen për t’i dhënë formë një gjuhe të përbashkët të së bukurës.

Gjatë kësaj vizite u firmosën marrëveshjet mes dy institucioneve artistike, UART dhe ABA Catanzaro, si dhe një Marrëveshje e përbashkët mirëkuptimi me ICF, ku veç të tjerëve, firmosën dhe Universiteti i Libanit dhe Universiteti Salah Boubnider Constantine 3 (Algjeri).

Gjithashtu u diskutua rreth një projekt dokumentari të titulluar “Gjuha e Zemrës”.