DËNOHET DEPUTETJA BRITANIKE/ Tulip Siddiq dënohet me 2 vite burg në mungesë nga gjykata e Bangladeshit
Deputetja britanike Tulip Sidiq u dënua me dy vite burg në Bangladesh, në një proces të zhvilluar në mungesë dhe të cilin ajo e quan farsë politike. Gjykata e shpalli fajtore për ndikim të padrejtë në përfitimin e tokave nga familja e saj përmes ish-kryeministres Sheik Hasina, ndërsa Londra thotë se sajimi i akuzave i mohoi asaj të drejtën për një proces të rregullt.
Një gjykatë në Bangladesh ka dënuar me dy vite burg deputeten britanike Tulip Siddiq, pas akuzave se ka përdorur ndikimin e saj politik për të ndihmuar familjarët të përfitojnë toka përmes ish-kryeministres Sheikh Hasina, tezja e saj, e rrëzuar nga pushteti vitin e kaluar.
Vendimi u dha në mungesë, një proces që Londra e ka quajtur të padrejtë dhe politikisht të motivuar, ndërsa Siddiq vetë e cilësoi “një gjyq farsë” dhe mohoi të gjitha akuzat, duke theksuar se nuk kishte as pasaportë e as lidhje ligjore me Bangladeshin.
Për prokurorinë, Siddiq ka përdorur kontakte me zyrtarë të lartë për të siguruar parcela tokash për familjen, megjithëse asnjë provë konkrete mesazhesh nuk u paraqit në gjykatë, vetëm dëshmi verbale të dy ish-zyrtarëve të rezidencës së kryeministres. Sakaq, nëna e Siddiq, Sheikh Rehana, u dënua me shtatë vite burg si pjesë kryesore e skemës.
Rasti vjen në një klimë të ndezur politike pas rrëzimit të Hasinës në gusht 2024 dhe ngritjes së qeverisë së përkohshme të drejtuar nga fituesi i Nobelit, Muhammad Yunus, e cila po çon përpara me shpejtësi procese kundër ish-pushtetit. Vetëm muajin e kaluar Hasina u dënua për krime kundër njerëzimit dhe më pas me 21 vite të tjera burg për korrupsion.
Laboristët në Londër tha se nuk e njeh vendimin, duke theksuar se Siddiq nuk ka pasur të drejtën minimale të mbrojtjes, pasi avokatët e saj nuk janë lejuar të marrin pjesë në proces. Edhe juristë britanikë të nivelit të lartë e kanë quajtur çështjen “të fabrikuar dhe të padrejtë”, ndërsa vetë Siddiq thotë se është viktimë e lojërave të brendshme politike në Bangladesh.

