151 viktima nga zjarri në Hong Kong, arrestohen të tjerë të dyshuar

Autoritetet e Hong Kongut thanë të hënën se kishin arrestuar 13 persona për vrasje të dyshuar nga pakujdesia në një hetim për zjarrin më vdekjeprurës të qytetit në dekada, duke treguar se materialet e rinovimit nën standard kanë nxitur një zjarr që ka marrë të paktën 151 jetë njerëzish.

Policia vazhdoi të pastrojë shtatë kullat e përfshira nga katastrofa e së mërkurës në pronën Ëang Fuk Court, duke gjetur trupa të banorëve në shkallë dhe në çati, të bllokuar ndërsa përpiqeshin të iknin nga flakët.

Më shumë se 40 persona ende rezultojnë të zhdukur.

“Disa nga trupat janë shndërruar në hi, prandaj mund të mos jemi në gjendje t’i gjejmë të gjithë individët e zhdukur”, u tha gazetarëve të hënën, i mbytur nga emocionet, Tsung Shuk Yin, një zyrtar i policisë.

Testet në disa mostra të një rrjete të gjelbër që ishte mbështjellë rreth skelave prej bambuje në ndërtesa në kohën e flakës nuk përputheshin me standardet e rezistencës ndaj zjarrit, thanë në një konferencë për shtyp zyrtarët që mbikëqyrnin hetimet.

Kontraktorët që punonin në rinovime i përdorën këto materiale nën standard në zona të vështira për t’u arritur, duke i fshehur ato në mënyrë efektive nga inspektorët, tha Kryesekretari Eric Chan.