‘Propagandë dashakeqe'/ Autoritetet gjeorgjiane paralajmërojnë padi ndaj BBC-së për artikullin e protestave
Autoritetet gjeorgjiane po përgatiten të ngrenë padi në gjykatat ndërkombëtare kundër Korporatës Britanike të Transmetimeve (BBC), për atë që ata e quajnë lajm të rremë që pretendon se policia përdori agjentë kimikë kundër protestuesve, njoftoi përmes një deklarate zyrtare partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane - Gjeorgjia Demokratike.
BBC publikoi së fundmi një raport ku pretendohej se autoritetet gjeorgjiane kishin përdorur armë kimike nga epoka e Luftës së Parë Botërore kundër demonstruesve në vitin 2024.
Artikulli i bazonte pretendimet e tij në dëshmitë e pjesëmarrësve në protestat e Tbilisit.
"Në dritën e kësaj propagande dashakeqe, të hartuar për të njollosur qeverinë gjeorgjiane, policinë gjeorgjiane dhe, më e rëndësishmja, vetë shtetësinë gjeorgjiane, ne kemi vendosur të fillojmë procedurat ligjore kundër këtij media të pandershme në gjykatat ndërkombëtare.
Ne do të shterojmë të gjitha mekanizmat ligjorë për të siguruar që ky entitet mediatik i vetëshpallur, të mbahet përgjegjës për përhapjen e akuzave të pabaza", thuhet në deklaratë.
Partia theksoi se BBC nuk paraqiti asnjë provë në raportin e saj, duke u mbështetur ekskluzivisht në deklarata nga burime të njëanshme, protestues dhe kundërshtarë politikë të qeverisë, disa prej të cilëve kanë dënime të mëparshme për aktivitetet e tyre.
Përpara publikimit, shërbimi i shtypit i Ëndrrës Gjeorgjiane, i kishte dhënë transmetuesit përgjigje gjithëpërfshirëse për të gjitha pyetjet dhe kishte kërkuar që qëndrimi i autoriteteve të pasqyrohej plotësisht në përputhje me standardet profesionale gazetareske.
Megjithatë, artikulli përfundimtar përfshinte më pak se një përqind të sqarimeve të hollësishme që partia u kishte dhënë autorëve të saj.
Ëndrra Gjeorgjiane përmendi gjithashtu një polemikë të kohëve të fundit që përfshinte klipin mashtrues të redaktuar nga BBC të një fjalimi të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili rezultoi në dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të shërbimit të lajmeve dhe redaktorit të tij ekzekutiv.
Partia akuzoi BBC-në për transformim në një instrument propagande për "shtetin e thellë", duke u angazhuar në fushata shpifëse dhe përhapjen e dezinformimit./ TASS.
