PAPA PRO SHTETIT PALESTINEZ/ Leoni i XIV: Rruga e vetme drejt paqes, zgjidhje për konfliktin e gjatë me Izraelin

Papa Leoni XIV deklaron se një shtet palestinez është “zgjidhja e vetme” për konfliktin e gjatë me Izraelin, duke riafirmuar qëndrimin tradicional të Vatikanit. Gjatë fluturimit nga Turqia drejt Libanit, ai paralajmëroi se njerëzimi ndodhet para rreziqeve të mëdha për shkak të luftërave të përhapura.

Papa Leoni XIV ka dhënë deklaratën e tij më të fortë deri tani mbi konfliktin izraelo-palestinez, duke thënë se ‘zgjidhja e vetme’ e drejtë për të dyja palët është krijimi i një shteti palestinez.

Duke folur me gazetarët gjatë një fluturimi nga Turqia për në Liban, Papa theksoi se Izraeli aktualisht nuk e pranon këtë zgjidhje, por Vatikani beson se vetëm një marrëveshje dy-shtetëshe mund të garantojë paqe të qëndrueshme.

Ai tha se Selia e Shenjtë është mike e të dyja palëve dhe synon të jetë një zë ndërmjetësues, duke nënvizoi se drejtësia ‘duhet të vlejë për të gjithë’ dhe se zëri i Vatikanit do të vazhdojë të shtyjë për zgjidhje paqësore.

Deklaratat e tij vijnë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu riafirmoi kundërshtimin ndaj shtetit palestinez, ndërsa SHBA-ja ka sinjalizuar mbështetje për pavarësinë palestineze.

Papa shmangu komentet direkte për luftën në Gaza gjatë vizitës në Turqi, por ka kritikuar më herët ashpërsinë e operacioneve ushtarake izraelite.

Ai paralajmëroi se e ardhmja e njerëzimit është në rrezik për shkak të konflikteve të shumta të përgjakshme dhe dënoi dhunën në emër të fesë. Në Turqi, Papa vlerësoi shembullin e bashkëjetesës fetare, duke thënë se ‘njerëzit e feve të ndryshme mund të jetojnë në paqe’.

Papa ndodhet të hënën në ditën e dytë të vizitës në Liban, ku ka përcjellë edhe një herë thirrjen e tij globale për paqe. Mesazhi i tij mbetet i njëjtë: pa drejtësi nuk ka zgjidhje, dhe pa shtet palestinez nuk ka paqe.