Rritja e çmimit të biletës së autobusit/ Qytetarët e Kamzës ngrihen në protestë para bashkisë

Dhjetra qytetarë u mblodhën paraditen e së dielës para godines së Bashkisë Kamëz në një protest të organizuar nga Lëvizja “Bashke”, kundër vendimit për rritjen e çmimit të biletës së autobuzit nga 40 lekë në 50 lekë. Protestuesit e konsideruan këtë vendim të padrejtë në raport me cilësinë, por edhe të papërballueshëm për shumë familje.

Me pankarta në duar dhe thirrje për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të biletës së autobuzit nga 40 lekë në 50 lekë, banorët e kamzës protestuan përpara bashkisë.

Ata kërkuan që bashkia të rishikojë urgjentisht rritjen e tarifes, pasi sipas tyre shërbimi i transportit urban në zonë është i dobët dhe nuk e justifikon çmimin e ri.

Shprehen të indinjuar pasi kjo rritje i rëndon xhepat e tyre dhe thonë se është e padrejtë të paguajnë më shumë për një shërbim që nuk përmirësohet.

Përfaqësuesit e Lëvizjes Bashkë, të cilët organizuan edhe tubimin, deklaruan se rritja e çmimit vjen në një moment të vështirë ekonomik për banorët e zonës dhe paralajmëruan vijimin e protestave.

Vendimi për rritjen e çmimit ka hyrë në fuqi në 1 Nentor dhe ka marrë dakortësinë e të dyjave forcave politike kryesore në Këshillin Bashkiak.

Nga ana e Bashkisë Kamëz nuk ka ende një reagim zyrtar për vendimin për rritjen e çmimit të biletës dhe as për protestën.