Gjipali: Konsultimi publik duhet të forcohet, ligjet po kalojnë me ritëm të shpejtë dhe kërkohet debat real
Në emisionin Alert në “Ora News”, moderuar nga Granit Sokolaj, në diskutimin mbi “Raportin e KE për Shqipërinë vs Konsumatorët”, i ftuari Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), vuri në dukje se në vitin e fundit nuk është parë i njëjti dinamizëm në proceset e konsultimit publik nga ana e ekzekutivit. Megjithatë, ai theksoi se Parlamenti ka ndërmarrë për herë të parë hapa pozitivë, përmes krijimit të një platforme online të konsultimit, ku tashmë çdo projektligj kalon detyrimisht për konsultim publik — një risi për Parlamentin e Shqipërisë.
Gjipali u shpreh se ky instrument është i dobishëm, por kërkon shfrytëzim të plotë dhe cilësor, sidomos duke pasur parasysh ritmin e shpejtë me të cilin pritet të kalojnë ligjet gjatë procesit të negocimit. Sipas tij, pjesa online e lehtëson procesin, por nuk zëvendëson debatin real, përballjen e opinioneve dhe konsultimin gjithëpërfshirës që është thelbësor për një legjislacion të qëndrueshëm dhe cilësor.
Ai paralajmëroi se ka grupe që mund të preken negativisht nga ndryshimet, ndaj është e domosdoshme të minimizohen kostot dhe humbjet për bizneset, duke i ndihmuar ato të rimodelojnë aktivitetin dhe të kuptojnë si mund të mbrohen dhe të përfitojnë nga reformat, pasi mundësitë që hapen janë të shumta.
NDIQNI EMISIONIN ALERT NË “ORA NEWS”:
