Lahe: Monitorimi zbulon probleme serioze në tenderat e Shëndetësisë. Kërkohet rishikim urgjent i fondeve publike

Në emisionin Alert në “Ora News”, moderuar nga Granit Sokolaj, ku u trajtua tema “Raporti i KE për Shqipërinë vs Konsumatorët”, e ftuara Alma Lahe, Menaxhere Projekti në “Together for Life”, u shpreh se niveli i pagesave nga xhepi për shërbimet shëndetësore mbetet shumë i lartë, ndërsa raporti i KE-së thekson se sektori i shëndetësisë është i prekur nga korrupsioni, edhe pse institucionet publike ende nuk kanë bërë publike specifikat e këtyre rasteve.

Lahe bëri të ditur se organizata ka kryer një monitorim të tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë vitit 2024, dhe ka konstatuar probleme serioze me operatorët fitues. Sipas saj, rreth 10 operatorë kanë fituar tenderat më të mëdhenj të ministrisë, përfshirë ato për barna dhe pajisje mjekësore. Ajo theksoi se vetëm 2% e tenderave të fituar kanë qenë nën vlerën e buxhetit maksimal të planifikuar, ndërsa kjo situatë është përkeqësuar nga viti 2014 deri sot.

Lahe e cilësoi këtë një alarm për rishikimin e të gjithë strukturës së menaxhimit të fondeve publike në sektorin e shëndetësisë, duke kërkuar transparencë dhe reforma të thelluara.

NDIQNI EMISIONIN ALERT NË “ORA NEWS”: