Italianët japin ndihma fermerëve të Pogradecit, dhurojnë makineri moderne bujqësore

Fermerët e Pogradecit kanë marrë një mbështetje të çmuar nga partnerët italianë, në një projekt që synon ruajtjen dhe rigjallërimin e varieteteve autoktone të rrushit, mes tyre “Serina e Bardhë”, një pasuri e zonës që rrezikonte të zhdukej.

Fermerët e Grabovicës janë bashkuar zyrtarisht në një kooperativë bujqësore, duke hapur rrugën për prodhim të rritur, standardizim dhe zhvillim ekonomik.

Në ceremoninë e organizuar në Grabovicë, prodhuesi i verës Ersol Caco tha se ky bashkim është thelbësor për identifikimin dhe mbrojtjen e produkteve tipike të zonës.

Qëllimi kryesor është identifikimi i produkteve tipike lokale. Ka varietete shqiptare me rrezik zhdukjeje, si Serina e Bardhë, Gems dhe Muskat Kanellë. Ne si fermerë jemi bashkuar ligjërisht për të investuar në vreshta të rinj dhe për të pasur një mënyrë tjetër taksimi. Aktualisht jemi 7 fermerë dhe synojmë të përfshijmë të gjithë ata që merren me vreshtari.”- tha Ersol Caco.

Në këtë aktivitet u dorëzuan makineri moderne bujqësore për inkubatorin e Pogradecit, duke krijuar kushte më të mira pune dhe duke mbështetur fermerët me teknologji, mjete dhe trajnime.

Kryebashkiaku Ilir Xhakolli tha se bashkimi i fermerëve sjell përfitime të drejtpërdrejta në prodhim dhe në kosto.

“Më në fund u kuptua se duke qenë bashkë përfitimet janë më të mëdha. Bashkimi sjell lehtësira, qoftë për taksat, qoftë për aksesin në skema mbështetëse. Kjo është dallëndyshja e parë që do të sjellë edhe kooperativa të tjera në fshatrat e Pogradecit.”- u shpreh Ilir Xhakolli.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi italian Paolo Viviani vuri theksin tek potenciali i produkteve tradicionale shqiptare në tregun europian.

“Produktet tradicionale kanë vend të sigurt në tregun kombëtar dhe kur arrijnë një vlerë të veçantë, hapet mundësia e tregut ndërkombëtar. Me ecjen e Shqipërisë drejt BE, tregu europian është një mundësi e shkëlqyer për këto produkte.”- tregoi Paolo Viviani.

Nisma synon të forcojë ekonominë rurale të Pogradecit, të rrisë cilësinë e prodhimit dhe të ruajë identitetin bujqësor të zonës përmes bashkëpunimit dhe teknologjisë moderne.