FESTA E SHQIPTARËVE/ Stërnipi i Ismail Qemalit: Jam shumë krenar që flamuri kuq e zi mbush sheshet e Europës dhe botës

"Unë jam shumë i lumtur, shumë krenar kur shikoj që ky flamur kuq e zi që u ngrit në 28 nëntor 1912 nga një paraardhës i imi, Ismail Qemal bej Vlora, mbush sheshet e Europës dhe botës."

Ky është mesazhi që Stërnipi i Babait të shtetit Shqiptar, Ismail Qemali përcolli për shqiptarët përmes Ora Neës nga Vlora, që cdo 28 nëntor bashkon shqiptarët ku do janë.

Mjeshtri Mallastriot Guri Rrokaj që në portret i ngjan Ismail Qemalit aty në shesh të flamurit ia mori këngës.

Kufiri që ndan shqiptarët  në shtet ra simbolikisht në Morinë, ku të rinjë ia morën valles me flamurin kuq e zi aty ku dy shtetet bashkohen

Një dëshmi uniteti, gëzimi e krenarie kombëtare.

Mbi 18 mijë shqiptarë të Kosovës zgjodhën Shqipërinë për festat e flamurit duke u shpërndarë nga Shkodra gjer në Vlorë.

Në qytetin  e flamurit ishin kthyer edhe emigrantë.

Përtej ceremonive zyrtare të ngritjes së flamurit festa ishte më e vakët në qytetet e tjera, përfshirë Tiranën, edhe pse nuk mungonin qytetarët që kishin dalë në rrugë me simbole kombëtare

Frymës së festës iu bashkuan edhe turistët, si ky anglez me plis në kokë.

“Uroj te gjithe shqiptaret per 28 Nentorin, e adhuroj shqiperin kam qene disa here ketu dhe do te kthehem perseri”.

Fëmijët i përcollën urimet përmes vargjeve kushtuar flamurit.