BALLUKU MBI 5 ORË NË GJKKO/ Lihen në fuqi masat ndaj Zv/Kryeministres së pezulluar dhe dy vartësve të saj! Nuk pranoi të japë prononcime për gazetarët

Belinda Balluku u paraqit sot në GJKKO, për masën e ndalimit  daljeje jashtë vendit dhe pezullimin e saj nga detyra, në kuadër të hetimeve për dy tenderë me vlerë 210 milionë euro. Balluku nuk pranoi që të jepte prononcime për gazetarët, ndërsa seanca u shty me rreth dy orë pasi avokatët kërkuan njohjen me aktet e dosjes.

Belinda Balluku u paraqit pak para në orës 09:00 në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) për seancën e verifikimit të masës së sigurisë, pasi është marrë e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

Ajo la ambientet e GJKKO-së pas rreth 40 minutash dhe nuk pranoi që të kishte një pronocim për gazetarët jashtë, pasi GJKKO vendosi shtyrjen me 2 orë, pas kërkesës së mbrojtjes për t'u njohur me aktet.

Balluku u rikthye sërish në ambientet e GJKKO-së pas rreth një ore, për të vazhduar seancën gjyqësore për masat e sigurisë ndaj saj, të cilat mbetën të pandryshuara nga vendimi i parë.

Gjyqtari Erjon Çela ka vendosur ndaj saj ndalim daljeje jashtë vendit dhe pezullim nga detyra si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Balluku u pezullua nga detyra pas marrjes së akuzës për tenderin 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë. SPAK dyshon se ajo ka paracaktuar fituesin përmes ndërhyrjes së vazhdueshme në procesin e garës.

Ajo po hetohet gjithashtu edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe. Sipas SPAK, për të dy procedurat me vlerë 210 milionë euro, Balluku ka ushtruar kontroll të drejtpërdrejtë dhe ka ndikuar në rezultatin e garës.

Në vendimin e tij, gjyqtari Çela arsyetoi se Balluku nuk mund të vijonte detyrën, pasi ekziston rreziku për: përsëritje të veprës penale, duke qenë se po hetohet për tendera të tjerë; prishje ose asgjësim provash; largim nga vendi, duke iu referuar dënimit të parashikuar prej 1–5 vitesh burg.

Ndërkohë, në GJKKO u paraqiten me prani policore edhe dy vartësit e saj, kreu i ARRSH-së Gentian Gjyli dhe drejtori aktual i KESH-it, Erald Elezi, që u lanë në arrest shtëpie.

Kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë, duke deklaruar se vendimi i GJKKO-së do të respektohet, por qeveria do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se vendimi cenon pushtetin ekzekutiv. Rama tha se në vend të Balluku nuk do të emërohet zëvendëskryeministër i ri dhe se vendi do të vijojë me qeverinë aktuale deri në qartësimin e çështjes.

Po ashtu, Këshilli i Ministrave depozitoi dje ankimimin në Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e masës së pezullimit nga detyra dhe interpretim nëse GJKKO-ja ka kompetencë të pezullojë një anëtar të kabinetit qeveritar.

Dokumenta bashkëngjitur