Teliti: Deklarata e Marta Kos bie ndesh me raportin e OSBE/ODIHR, uroj të jetë një lapsus

Në studion e lajmeve nëpërmjet një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News" ishte i ftuar Dorian Teliti, koordinator për çështjet ekonomike në Partinë Demokratike, ku ndër të tjera komentoi qëndrimin e Martës Kos gjatë konferencës për shtyp në Tiranë pas samitit.

"Unë uroj dhe shpresoj që të ketë qenë thjesht një lapsus, pasi zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri nuk janë konstatuar, jo vetëm nga opozita apo qytetarët, por edhe nga vetë raporti i OSBE/ODIHR, nga përfaqësuesit europianë dhe ndërkombëtarë që e shoqëruan procesin zgjedhor. Raporti ka konstatuar se rotacioni politik në Shqipëri u pamundësua nga përdorimi i krimit dhe ndërhyrjet shtetërore në zgjedhje.

Zgjedhje të ndershme raporti i OSBE/ODIHR nuk e evidenton në asnjë rresht. Unë uroj që të ketë qenë thjesht një lapsus dhe nuk dua të hamendësoj gjëra të tjera", u shpreh Teliti.