GARA ZGJEDHORE/ KQZ-ja nis përgatitjet për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procedurat zyrtare për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit në Kosovë. Janë miratuar afatet kyçe që përfshijnë aplikimin e partive, listat e kandidatëve dhe regjistrimin e votuesve brenda dhe jashtë vendit. KQZ thotë se procesi do të zhvillohet me standarde të rrepta transparente dhe organizative.
Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit tashmë kanë marrë drejtimin e tyre zyrtar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur fazën përgatitore dhe ka caktuar të gjitha afatet ligjore për organizimin dhe menaxhimin e procesit të votimit.
Me këtë hap, Kosova hyn në një periudhë të re politike që do të përcaktojë përbërjen e ardhshme të Kuvendit.
Në mbledhjen e radhës, KQZ konfirmoi se ekstrakti i parë i regjistrit qendror civil do të merret nga Ministria e Punëve të Brendshme më së voni më 22 nëntor. Ndërkohë, dy ditë më pas, më 24 nëntor, KQZ do të vendosë për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore.
Partitë politike kanë afat prej 24 deri më 30 nëntor për të deklaruar pjesëmarrjen ose tërheqjen nga zgjedhjet. Gjatë të njëjtës periudhë zhvillohet edhe aplikimi për certifikim të subjekteve politike. Më pas, nga 24 nëntori deri më 7 dhjetor, partitë e certifikuara dorëzojnë listën e kandidatëve për deputetë.
Në datën 8 dhjetor, KQZ do të organizojë shortin për renditjen e subjekteve në fletëvotim, një moment i rëndësishëm që shënon edhe nisjen e intensitetit të fushatës.
Procesi teknik përqendrohet edhe te votuesit. Qytetarët do të kenë nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor për të bërë ndryshime të qendrave të votimit, ndërsa periudha e aplikimit për votuesit jashtë Kosovës do të zgjasë deri më 6 dhjetor. Lista e plotë e zgjedhësve, brenda dhe jashtë vendit, do të certifikohet më 10 dhjetor.
Ndërkohë, votimi me postë do të nisë më 12 dhjetor dhe do të përfundojë një ditë para zgjedhjeve, më 27 dhjetor. Fushata zyrtare e partive të certifikuara pritet të nisë më 17 dhjetor dhe të përfundojë më 27 dhjetor, diten e heshtjes zgjedhor
KQZ paralajmëron se zgjedhjet do të monitorohen nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, me aplikimet që do të zhvillohen nga 5 deri më 20 dhjetor. Institucioni synon transparencë dhe standarde demokratike të garantuara.
28 dhjetori pritet të sjellë një Kuvend të ri dhe një panoramë të re politike për vendin.

